Analize

BE na hap kufijtë në qershor. Serbia provokon me Kosovën

Shqiptarët mund të hyjnë në vendet e Bashkimit Europian muajin e ardhshëm, pasi kufijtë e jashtëm të unionit do të mbesin të mbyllur deri në mes të qershorit, si një masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Megjithatë udhëtimi ndërkufitar brenda bllokut mund të rifillonte më herët. Muajin e ardhshëm, vendet e rajonit pritet të hapin po ashtu kufijtë me njëra-tjetrën.

Komisioni Europian ka njoftuat një qasje me dy faza të mërkurën, për të rihapur gradualisht kufijtë e brendshëm.

Zona evropiane e udhëtimit të lirë, e përbërë nga 22 vende të BE-së plus Norvegjinë, Islandën, Zvicrën dhe Lihtenshtajnin, pësoi një krizë të jashtëzakoshme, kur shumica e vendeve anëtare rivendosën kontrollet kufitare në një përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit. Kjo ua ndaloi të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor hyrjen në vendet e unionit.

Mbyllja e kufijve lejohet sipas rregullave të Shengenit nëse vendet anëtare përballen me një "kërcënim serioz për sigurinë e brendshme", por nuk ka asnjë tregues sesi ta rikthejnë në jetë lëvizjen e lirë. Ndërkohë që pjesa më e madhe e vendeve europiane hapën kufijtë me vendet fqinje, Komisioni ka lëshuar udhëzime për vendet e BE-së se si të heqin kufijtë e brendshëm dhe kufizimet e udhëtimit.

Kjo është një çështje thellësisht e ndjeshme për vendet si Greqia, Italia dhe Spanja, të cilat po mbështeten tek turizmi për të shpëtuar ekonominë e tyre. Komisioni paraqitinjë qasje me dy hapa. Së pari, vendet me një situatë të krahasueshme epidemiologjike, duhet të heqin kufizimet e udhëtimit ndërmjet tyre, me kusht që ende të respektojnë distancimin shoqëror.

"Kufizimet e udhëtimit së pari duhet të hiqet në zonat me një situatë të krahasueshme epidemiologjike dhe ku ekzistojnë aftësi të mjaftueshme për sa i përket spitaleve, testimit, mbikëqyrjes dhe aftësive të gjurmimit të kontaktit", thuhet në udhëzimet e Komisionit Europian.

 Kjo, për shembull, do të shkaktonte probleme për Greqinë në sjelljen e turistëve britanikë, sepse koronavirusi ka qenë shumë më i rëndë në Britani. Por do të lejonte hapjen e kufijve mes vendeve të rajonit, sepse Shqipëria, Greqia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Bullgaria dhe Qipro kanë patur një numër të ngjashëm rastesh në raport me popullsinë. Por kjo do të thotë se italianët nuk do të mund të vijnë në Shqipëri dhe anasjelltash, sepse Italia ka qënë shumë më e prekur.

Në fazën e dytë udhëtimi do të rikthehej në të gjithë zonën Shengen dhe më gjerë. Disa vende po krijojnë korridore për lëvizjen e lirë. Lituania, Letonia dhe Estonia javën e kaluar ranë dakord të heqin kufizimet e udhëtimit me kusht që njerëzit që kthehen nga vendet e tjera do t'u kërkohet të izolohen.

Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen tha në prill se europianët do të gjejnë "zgjidhje të zgjuara" për të shkuar me pushime këtë vit.

Greqia po punon për idenë e lejimit të turistëve që do të testoheshin para udhëtimit. Në propozimet e bëra përpara bisedimeve, Athina ka sugjeruar që udhëtarët të testohen për Covid-19 tre ditë para nisjes. "Duke pasur parasysh se testimi i njerëzve pas mbërritjes në aeroporte do të jetë i vështirë, tamponët për të përcaktuar statusin e një personi, duhet të bëhen 72 orë para udhëtimit", tha ministri grek i turizmit Harry Theoharis. Ai konfirmoi të martën se nëse nuk bëhej përparim, Athina do të ndiqte masa që do të lejonin udhëtimin ajror me vendet e tjera. Gjermania, Austria, Izraeli dhe Qiproja kanë filluar të diskutojnë "korridoret e udhëtimit" me Greqinë, së bashku me Bullgarinë dhe shtetet e tjera të Ballkanit, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

"Ata mund të futen vetëm në aeroplan vetëm nëse kanë rezultuar negativ, ose e kanë kaluar koronavirusin", tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

Ministri kroat i turizmit Gari Cappelli tha se ishte në bisedime me Republikën Ceke për mundësinë e krijimit të një korridori ajror për të lejuar çekët të pushojnë në Kroaci.

Kroacia dëshiron të prezantojë një protokoll udhëtimesh në mbarë BE me rregullore të harmonizuara reciprokisht, ndërsa në të njëjtën kohë i lejon turistëve nga secili vend i unionit të hyjnë.

Ministrja austriake e Turizmit, Elisabeth Köstinger, e cila në prill tha se Austria do të ishte e lumtur të mirëpresë gjermanët për pushime. Në Portugali, Kryeministri Antonio Costa tha se turizmi kombëtar dhe ndërkombëtar duhet të rifillojnë nga korriku. Por tani, kufiri me Spanjën, ku epidemia ka marrë mbi 26,000 jetë, është ende i mbyllur.

Serbia provokon Kosovën me hapjen e kufijve

Duke ndjekur Kroacinë, edhe Serbia ka vendosur të hapë muajin e ardhshëm kufijtë, por në një provokim të egër, ka cilësuar si fqinjin e saj Shqipërinë, duke e cilësuar Kosovën si pjesë të territorit të saj.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se Serbia, nga 1 qershori, do t’i rihapë kufijtë për shtetasit e Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, një deklaratë që ka ngjallur jo pak reagime në Kosovë. Sikur të mos mjaftonte kjo, në datën 8 gusht 2019 kryeministrja e Serbisë Ana Bernabiç njoftoi zyrtarisht se Serbia do të hapë së shpejti pikëkalim kufitar të përbashkët të integruar me Shqipërinë, njësoj si me Bosnjë-Hercegovinën

Edhe pse Tirana zyrtare nuk i është përgjigjur ende këtij provokimi, reagimet nga analisët kanë qënë të menjëhershme..

“Pra qeveria e Serbisë po shpall zyrtarisht Serbinë me Shqipërinë shtete fqinje dhe kufitare”, shkruan sot analisti Shaban Murati. “Meqë qeveria shqiptare ka vdekur, meqë diplomacia shqiptare ka vdekur dhe meqë shteti shqiptar ka vdekur, a mos duhet që qytetarët e Shqipërisë t’i drejtohen Kryqit të Kuq Ndërkombëtar për ndihmë, para se Serbia të na shpallë shtetas të saj?”, përfundon ai.

Ndërkohë Shqipëria dhe Kosova kanë hapur tanimë kufirin me njëra-tjetrën.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi tha se të parët që do të lejohen të kalojnë janë qytetarët e Kosovës të cilët kanë leje qëndrimi apo shtetësi shqiptare.

Ato do të lejohen të udhëtojnë për t’u vendosur në pronat e tyre me kushtin që të vetëizolohen në shtëpitë e tyre, duke respektuar rregullat e qytetit ku do të qëndrojnë.

“Kjo nuk do të thotë që ata nuk mund të dalin jashtë shtëpive dhe banesave të tyre për të kryer shërbime në orare të caktuara siç është për të gjithë qytetarët shqiptarë”, thotë Minxhozi.

Shtimi numrit të rasteve me koronavirus ditëve të fundit në Kosovë e ka vështirësuar marrjen e vendimeve të autoriteteve shqiptare për të caktuar datat e sakta se kur qytetarët e tjerë do të lejohen të qarkullojnë drejt Shqipërisë, megjithatë përmendet muaji qershor. /Përgatiti Gazeta "Si"

Ky material nuk lejohet të kopjohet apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë