Ngjarje

BE do të lehtësojë procedurat për emigrantët e kualifikuar, jepet miratimi për “Kartën Blu”

Parlamenti Europian njoftoi se do të miratojë ndryshimet e propozuara të sistemit të “Kartës Blu”, një nismë që synon që BE të shndërrohet në një zonë më tërheqëse për punonjësit e kualifikuar nga vendet e treta.

Në maj, Parlamenti dhe Këshilli arritën një marrëveshje të përkohshme për të rishikuar rregullat në fuqi për tërheqjen e punonjësve të kualifikuar nga vendet e treta.

“Direktiva e risihkuar mbi kushtet e hyrjes dhe rezidencës parashikon kritere më fleksibël, përfshirë këtu një pagë minimale më të ulët se paga mesatare e BE, që aplikuesit duhet të sigurojnë për t’u kualifikuar për Kartën Blu. Ndryshimet lehtësojnë edhe procedurat e bashkimeve familjare për personat e kësaj kategorie”, thuhet në një deklaratë të Parlamentit Europian.

Prej vitesh, pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Europian regjistrojnë rënie të forcës së punës. Sipas projeksioneve, forca punëtore e BE do të bjerë në 292 milionë në vitin 2070, nga 330 milionë që është aktualisht.

Për t’u përballur me krizën e punonjësve, sidomos në teknologji dhe komunikacion, ku BE synon që të shndërrohet në lider, propozimi do të lehtësojë procedurat e emigrimit dhe pajisjes me leje qëndrimi të përhershme për punonjësit e kualifikuar, bazuar te modelet e Kartave Jeshile në SHBA, Kanada dhe Australi.

Lehtësitë do të sigurojnë që mbajtësit e Kartës Blu të BE-së dhe anëtarët e familjes së tyre, do të jenë në gjendje të transferohen në një Shtet Anëtar të dytë bazuar në rregullat e thjeshtuara të lëvizjes pas 12 muajve të punësimit në Shtetin e parë Anëtar.

Po ashtu me marrjen e Kartës Blu do t’u ofrojë punonjëse të një vendi të tretë të bëjnë udhëtime biznesi në SHBA, Britani, Australi shumë më lehtë. Gjermania, një vend kryesor në punësimin e shtetasve të vendeve të treta ka bërë kërkesë që të gjithë ata që pajisen me Kartën Blu do të paguhen mbi 50 mijë euro në vit.

Direktiva që parashikon Kartën Blu është miratuar që në vitin 2009, por për momentin, jo të gjitha vendet anëtare të BE-së janë pjesë e nismës së Kartës Blu. Nga 27 vende anëtare, vetëm tetë prej tyre njohin Kartën Blu. Ato janë Belgjika, Bullgaria, Qipro, Gjermania, Estonia, Finlanda, Franca dhe Greqia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë