Ngjarje

BE bllokon marrëveshjen që lejonte Britaninë të kthente emigrantët në Francë

Brukseli thuhet se ka hedhur poshtë përpjekjet e Britanisë për të arritur një marrëveshje kthimi për emigrantët që kalojnë Kanalin.

BE-ja ka bllokuar një marrëveshje që lejonte Britaninë që të kthejë pas në Francë emigrantët që kalojnë Kanalin.

Dokumentet e zbuluara tregojnë se një zyrtar i Komisionit Evropian i tha këshilltarit të sigurisë kombëtare të Britanisë në fillim të këtij viti se blloku nuk ishte i hapur për një marrëveshje kthimi, një marrëveshje ku Kryeministri Rishi Sunak shpresonte se do të ndihmonte në trajtimin e krizës së anijeve të vogla.

Por shënimet e një takimi këtë verë midis kreut të kabinetit të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Bjoern Siebert dhe diplomatit britanik Sir Tim Barrow, bëjnë të qartë se Brukseli nuk do të arrinte një marrëveshje.

Në një memorandum nga Zyra e Kabinetit, e parë nga Daily mail shkruhet se zyrtari i BE-së ka thënë se Komisioni nuk është i hapur për një marrëveshje kthimi Britani-BE.

Ndërkohë, një zëdhënës i Komisionit Evropian kundërshtoi pretendimet se Siebert ka hedhur poshtë një pakt të kthimit.

Britania e Madhe i është drejtuar lobimit në BE pas refuzimeve të përsëritura nga Franca për një marrëveshje.

Kur Britania ishte anëtare e bllokut, disa emigrantë u kthyen sipas Rregullores së Dublinit, e cila lejon që azilkërkuesit të deportohen në vendin e parë ku hyjnë.

Një burim qeveritar tha se "BE-ja nuk mund të bie dakord as për një marrëveshje emigracioni midis tyre, kështu që nuk është çudi që ata nuk janë të gatshëm të diskutojnë një marrëveshje ripranimi me ne”.

"Edhe sipas Marrëveshjes së Dublinit ne morëm më shumë njerëz sesa dërguam në anën tjetër."

Kjo vjen pasi më shumë se 100,000 emigrantë kanë bërë udhëtimin e rrezikshëm përmes Kanalit me gomone që nga viti 2018.

Disa deputetë konservatorë po bëjnë thirrje që Britania të largohet nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është vendosur nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në mënyrë që të merret me këtë çështje.

Burimi: Daily Express. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë