Menaxhim

BB: Shpopullimi e ka bërë Shqipërinë më të rrezikuar nga katastrofat natyrore

Nga Gazeta 'SI'- Shqipëria listohet në vendet me ekspozim të lartë ndaj katastrofave natyrore, sipas Bankës Botërore, që numëron rreth 30.000 qytetarë të prekur në vit për dy dekadat e fundit.

Raporti i dedikuar tërësisht Shqipërisë gjen se 95% e bashkive në Shqipëri janë prekur të paktën nga një lloj katastrofe; tërmet, përmbytje, zjarre, rrëshqitje dheu, temperatura ekstreme etj dhe për të krijuar një mburojë ndaj rreziqeve të natyrës, BB përllogarit se Shqipërisë i duhen rreth 6 mld dollarë investime.

Raporti thekson se dëmet nga zhvillimet klimatike në Shqipëri mund të arrijnë deri në 7% të PBB-së.

Shpopullimi i vendit është një faktor që Banka vlerëson se e ekspozon më shumë Shqipërinë ndaj rreziqeve klimatike.

Fillimisht, Banka thekson se edhe pse popullsia po largohet, disa zona urbane janë mbipopulluar, pa plan dhe me risk. Për 10% rënie të popullsisë, ndërtimi është rritur me 4%, që do të thotë se qytetet shqiptare janë zgjeruar pa eficiencë. Zgjerimi urban i ka bërë qytetet më të ekspozuara ndaj përmbytjeve. Shqipëria renditet në 20 vendet më të rrezikuara nga përmbytjet në botë.

Përkeqësimi është më i dukshëm në zonat që janë buzë lumenjve, si Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra dhe Lezha.

Aspekti i dytë ku shpopullimi e bën Shqipërinë më të rrezikuar ndaj ndryshimeve klimatike, është mungesa e njohurive dhe mundësive, për të reaguar ndaj një emergjence klimatike.

Indeksi i Kapitalit Njerëzor e vlerëson Shqipërinë me 0.63 pikë që do të thotë se vendi nuk po përdor më shumë se 1/3 e potencialit human, thekson BB. Një rezultat negativ edhe në testin e PISA tregoi se performanca edukuese është në rënie.

BB vëren se sistemi shëndetësor i Shqipërisë, përballet me pamundësi për t’ju përgjigjur efektivisht risqeve shëndetësore që lidhen me klimën. Financimi i shëndetësisë është i ulët, 6-7% e PBB-së dhe shumë njerëz zgjedhin të mos kryejnë shërbime shëndetesore për shkak të kostove, sidomos në familjet më të varfra, që do të thotë se ata janë të kufizuar edhe gjatë emergjencave klimatike.

“Forca punëtore në Shqipëri vazhdon të zvogëlohet pasi njerëzit emigrojnë në kërkim të mundësive më të mira të punës. Në të vërtetë, diaspora shqiptare me rreth 1.4 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit është një nga diasporat më të mëdha në botë. Investime të konsiderueshme në zhvillimin e kapitalit njerëzor janë të nevojshme për t'u siguruar që shqiptarët të jenë gati t'i përgjigjen paqëndrueshmërisë në rritje të lidhur me përkeqësimin e ndryshimeve klimatike”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Rajonet fushore bregdetare - shtytësit ekonomikë të bujqësisë dhe turizmit - pritet të përjetojnë një rritje të ndjeshme të përmbytjeve dhe humbjen e sipërfaqeve të mëdha të tokës së punueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë