Nga Gazeta ‘SI’ – Ligji i Lojërave të Fatit u kthye përsëri tek komisioni i Ekonomisë këtë të mërkurë, por me grupet e interesit dhe jo më me qeverinë. Të pranishmit u fokusuan tek bastet sportive dhe jo tek llojet e tjera të lojërave.
Fillimisht, ish -kreu i Shoqatës së Basteve, Artan Shyti shprehu shqetësimin e tij për tregun ilegal të basteve online. Sipas tij, ligji i ri nuk i lë hapësirë operatorëve informalë të ligjërohen dhe vetëm i kufizon.
“Ligji ka problematika që nuk janë marrë parasysh. Me këtë ligj lojtarët e kanë më mirë të vijojnë në paligjshmëri. Në botë ka edhe pika fizike jo vetëm online. Ligji kërkon të deklarohen edhe shumat e vogla, kjo do pengojë edhe turistët të luajnë. Pse të jenë vetëm kompani të huaja, ato do t’i dërgojnë paratë jashtë. Nëse nuk rikthehen kompanitë që ishin, kjo nismë do të dështojë!”, tha Shyti.
LEXO EDHE:
– ‘Bastet online’ ndryshojnë në Kuvend. Hiqet tatimi 15% i lojtarëve, fituesit që s’marrin paratë nga kompania i ‘kompeson’ shteti
– Lojërat e Fatit, Komisioni i Ligjeve i miraton, ish-ministri Xhafaj: A keni bërë ndonjë analizë socio-ekonomike? Ç’do bëhet me tregun ilegal?
Ndër të tjera ai përmendi se heqja e parasë cash nuk është zgjidhje pozitive, pasi do të kufizojë të huajt dhe turistët që nuk kanë një llogari bankare në vendin tonë. Shyti rispërsëriti se qeveria duhet t’i japë përparësi kompanive vendase dhe jo të huajt, siç kërkon ligji, aksionerë të huaj me eksperiencë në vendet e BE-së.
Henri Telheraj, përfaqësues i Këshillit Shqiptar për problemet e lojërave të fatit sugjeroi për ministrinë e Financave disa masa për të parandaluar dëmet sociale nga ky aktivitet.
Një ndër sugjerimet e tij ishte vendosja e një limiti në shumë dhe kohë për individët me historik varësie, mundësuar nga faqja e kompanive.
“Një nga kërkesat tona ka të bëjë me që për një të varur të vendosë një limit në muaj për të luajtur për një kohë të caktuar. T’ja lejojë kompania në faqe këtë. Jo me shkresa zyrtare. Këto burokracitë bëjnë individin të tërhiqet. Organizatorët e lojërave të ekspozojnë numrat e këshillimit për ndihmë në linjën e gjelbërt” u shpreh Telharaj.
Ai propozoi se ligji duhet të ndalojë disa kategori individësh të përfshihen në lojëra, sipas pozicionit të tyre në shoqëri.
“Ligji sllovak thotë se individët që duhet të ndalohen nga lojërat e fatit janë ata që marrin ndihmë sociale dhe studentët me bursa në universitet. Këto janë shtresa vulnerabël. Njerëzit me përgjegjësi në komunitet duhet të ndalohen po ashtu, gjykatës, prokurorë etj”, tha Telharaj teksa përmendi edhe domosdoshmërinë e trajnimeve për punonjësit e lojërave të fatit, fushata sensibilizimi dhe një komunikim me Bankën e Shqipërisë, lidhur me futjen e bankave tregtare në këtë aktivitet.
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku, u shpreh në të njëjtin komision, se tregu duhet të rregullohej në 2018-n e jo të mbyllej. Ajo u shpreh kundër reklamimit të basteve online dhe përmendi përfshirjen e aksionerëve të huajë si një fasadë.
“Ne kemi eksperienca të këqija me aksionerët e huaj që futen në Shqipëri. Paguhet një tarifë, dhe më pas kompania e huaj i shet aksionet dhe vazhdon kompania shqiptare të ketë të gjithë aktivitetin. Unë nuk shqetësohem për kompanitë, por për interesin publik. Këto ligje që përqendrojnë aktivitetin në disa duar, kapin shtetin”, tha Tabaku.
Deputeti socialist, Erjon Braçe iu drejtua ashpër ish-kreut të shoqatës, Artan Shyti duke e quajtuar ‘shantazh’ komunikimin e tij.
“Ti themi gjërat siç janë. Në 2018-n për vite me radhë këtë aktivitet e ka pasur në dorë krimin.Ti nuk duhet të përfaqësosh krimin këtu. Ti the ‘po nuk u kthyen kompanitë që ishin më herët, tregu do të mbetet informal’. Ky është shantazh. Kompanitë u detyruan t’i linin pikat, vetëm një kompani refuzoi. U detyruan nga dhuna dhe krimi. Po ne e dimë se çfarë kemi hequr nga kërcënimet. Dini gjë ju kush po luan tani? Dini gjë kush po e organizon që ne t’i marrim e t’i legalizojmë. Jemi në këtë pikë sepse policë të korruptuar e prokurorë. Kush po e bën tani?” u shpreh deputeti socialist.
Shyti u përgjigj duke thënë se qëllimi është i paligjshme të bëhet i ligjshme, përndryshe nuk ka kuptim.
“Ndoshta ka pasur interferencë kriminale, e ka thënë kryeministri këtë. Por kjo është pjesë e realitetit shqiptar. Administratorët e pikave kanë qenë të licencuara me ligj dhe paguhenin taksa” tha Shyti duke shtuar se reklamat janë të domosdoshme për të kuptuar se ku ushtrohet aktiviteti dhe kush e ka licencën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



