Ana e errët

Baste, kërcënime, politikë, krim, arrestohet Cari bullgar i lojërave të fatit

Manjati i lojërave të fatit në Bullgari, Vasil Bozhkov është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe. Arrestimi i tij vjen vetëm disa ditë pasi ai u akuzua në mungesë në vendin e tij për organizimin e një grupi kriminal, zhvatje dhe përpjekje për ryshfet. Akuzat kanë të bëjnë me shkelje dhe parregullsi financiare, për kompaninë e lotarisë nën pronësi të Bozhkov, Lotaria Kombëtare, më e madhja në Bullgari. Cari i lojërave të fatit - i cili është mbiquajtur "Kafka" - dyshohet se ka shmangur  pagimin e taksave dhe tarifave kombëtare,  veçanërisht përsa i përket licencimit. Dëmi kap shifrën prej 317 milion dollarëve.

Autoritetet bullgare bastisën selinë e Lotarisë Kombëtare javën e kaluar, si dhe adresat e tjera të lidhura me kompaninë e dyshuar. Në mesin e të arrestuarve nga aksioni janë drejtuesi aktual dhe të mëparshëm të rregullatorit kombëtar të lojërave të fatit, të cilët akuzohen për komplot financiar. Parlamenti i Bullgarisë iu përgjigj, duke votuar mbylljen e lojërave private të fatit dhe heqjen e licencës për  Lotarinë Kombëtare.

Shteti mafioz

Bullgaria është një nga vendet më të varfëra të BE-së, dhe ndikimi mafioz është i përhapur brenda institucioneve të shtetit. Një raport diplomatik amerikan i vitit 2005 i nxjerrë nga Wikileaks, arriti në përfundimin se "krimi i organizuar ka ndikim në të gjitha institucionet bullgare, përfshirë qeverinë, parlamentin dhe gjyqësorin."

Por përballë demonstratave publike kundër korrupsionit dhe presionit të BE për të luftuar krimin e organizuar, ligjvënësit po ndërmarrin hapa drejt reformës. Akuzat kundër Bozhkov do të ishin të paimagjinueshme një dekadë më parë, kur manjati konsiderohej  i paprekshëm.

Një raport diplomatik i vitit 2009, i nxjerrë gjithashtu nga Wikileaks, e përshkroi Bozhkov si "gangsterin më famëkeq të Bullgarisë" i cili kishte një dorë në "pastrimin e parave, mashtrimet financiare, zhvatjen dhe shumë biznese të tjera të paligjshme."

Kush është Vasil Bozhkov?

Bozhkov themeloi një kompani kazinoje dhe bixhozi në 1993 me Ilya Pavlov, themeluesin e Multigrup, i cili konsiderohej si përfaqësuesi më i madh i krimit të organizuar në Bullgari. Bëhet fjalë për periudhën gjatë kalimit të vendit nga një shtet komunist në një ekonomi demokratike të tregut të lirë, pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Kjo periudhë solli  fuqizimin e mafies bullgare. Pavlov u vra në 2004, një ditë pasi dëshmoi në gjyqin e vrasjes së ish kryeministrit bullgar, Andreu Lukanov. Autorët e të dy këtyre vrasjeve  janë ende të panjohur.

Ilya Pavlov

Sot, Bozhkov është një ndër njerëzit më të pasur në Bullgari, me një pasuri që shkon mbi 1.5 miliardë dollarë. Bozhkov, 63 vjeç, ka lindur në Velingrad, dhe përveç lojërave të fatit, ka në pronësi të tij edhe ekipin e famshëm bullgar të futbollit, CSKA Sofia.

Bullgaria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë të nënshkruar marrëveshje për ekstradim, kështu që është e paqartë nëse Bozhkov do të dërgohet në shtëpi për t'u përballur me ligjin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë