Lojëra me Dore

Basketboll/ Flamurtari fiton Kupën te femrat, Besëlidhja surpriza e madhe te meshkujt

Gazeta Si – Trofetë e parë të sezonit 2022-2023 në basketboll i kanë takuar Flamurtarit dhe Besëlidhjes. Kupa e Shqipërisë në basketboll femrash është fituar nga vlonjatet, kurse në basketboll meshkujsh nga lezhjanët, që janë edhe surpriza e madhe.

Vajzat e Flamurtarit, pasi eliminuan Studentin në gjysmëfinale, u ndeshën me Tiranën, që vinte pas fitores ndaj Partizanit. Finalja u mbyll me fitoren 81-74, në favor të vajzave vlonjate. Për kampionet në fuqi të Shqipërisë u dallua Samra Omerbasiç, autore e 34 pikëve.

Vajzat e Flamurtarit festojne me trofeun e Kupes se Shqiperise. Gazeta Si, 26 shtator 2022

Te meshkujt ka befasuar Besëlidhja. Skuadra lezhjane, e ngjitur në Superligë vetëm pak muaj më parë, ka fituar tashmë edhe trofeun e parë. Djemtë e drejtuar nga trajneri Artan Terihati eliminuan Teutën në gjysmëfinale, kurse në finale mposhtën Tiranën, duke shënuar një sukses historik për basketbollin lezhjan.

Interesant është fakti se koha e rregullt e finales përfundoi në barazim, 86-86. Në shtesë lezhjanët luftuan më fort dhe triumfuan 100-97. Lojtari më i mirë i finales ishte amerikani Jamesio Rhine. Ai e konkretizoi paraqitjen e tij të jashtëzakonshme me 43 pikë.

Besëlidhja e nis në mënyrë perfekte sezonin, duke fituar trofeun e Kupës së Shqipërisë. Lezhjanët kanë në përbërje 4 lojtarë amerikanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë