Ngjarje

Bashkimi i akademive, Gjinushi: I ftuam për të punuar Enciklopedinë, Fjalorin dhe Historinë

Nga Gazeta Si - Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi tha gjatë komunikimit me median se vendimi për bashkimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike me Akademinë e Shkencave do të rrisë kapacitetin intelektual në kërkimin shkencor shqiptar.

Gjinushi tha se Akademia ka ftuar ASA-n të bashkohen për të përfunduar 3 vepra madhore që duhet të përfundohen brenda 5 viteve. 3 projektet janë krijimi i Enciklopedisë, Fjalorit dhe Historisë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Kosovës.

“Guxuam të marrim 3 projekte madhore që nuk kanë guxuar ti marrin institute të konsoliduara pa pasur punonjës dhe i vetmi ndikim që Akademia kishte te institucionet ishte se i ftoi të bëheshim bashkë për të përfunduar 3 vepra madhore për 5 vite dhe po të bëjmë këto 3 vepra së bashku me ASA-n, për 10 vite ne e kemi kryer misionin tonë”, thotë Gjinushi.

Ai tha për median se të gjitha fondet e marra për këto 3 projekte do të shkojnë vetëm tek hartuesit, punonjësit shkencorë dhe bashkimi i këtyre dy Akademive e bën më të lehtë përfundimin e 3 projekteve.

I pyetur nëse është e vërtetë se Akademia e Kosovës ka hequr dorë nga bashkëpunimi me Akademinë e Shqipërisë, Gjinushi tha se kjo nuk është e vërtetë dhe “nuk ka marrëdhënie më të mira ndër vite midis Akademisë së Shqipërisë me Akademinë e Kosovës se sa këto 2 vitet e fundit.

“Nuk është tërhequr Kosova për krijimin e fjalorit. Vetëm nuk ka specialistë dhe do bashkëpunojnë me ne që projekti të përfundojë”, tha Gjinushi.

Gjithashtu, Gjinushi foli edhe për fondet. Ai sqaroi se nëse ASA deri më tani i merrte fondet nga Ministria e Arsimit, tashmë do i marrin nga Akademia e Shkencave dhe do kontrollohen nga vetë drejtuesit e institucioneve që tani do quhen njësi.

Drejtues të ASA-s prej ditësh kanë shprehur se janë kundër vendimit të një bashkimi me Akademinë e Shkencave, deklaratë që Gjinushi e mohoi duke thënë se “kemi komunikuar vazhdimisht me ASA-n dhe kanë votuar pro ose thjeshtë kanë heshtur kur është diskutuar për bashkimin e dy Akademive”.

“Jemi takuar dhe në Ministri dhe kanë qenë dakord. Problemi qëndron kur bëhen bashkë se ndryshojnë mendim. Gjithsesi janë një pakicë e vogël”, tha Gjinushi, duke shtuar se Akademia e Shkencave nuk ndërhyn në shkeljet ligjore që ka hasur MAS tek ASA.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë