Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri francez, Michel Barnier, mbërriti mëngjesin e sotëm në Pallatin Elysee për t’i dorëzuar presidentit Emmanuel Macron dorëheqjen, pasi ai u rrëzua një ditë më parë nga deputetët.
Sipas nenit 50 të Kushtetutës franceze, pas votimit të shkarkimit nga Asambleja Kombëtare (Parlamenti), kryeministri duhet t’i paraqesë Presidentit të Republikës dorëheqjen e qeverisë.
Pas miratimit të mocionit të votëbesimit, me 331 vota, Michel Barnier i dorëzoi dorëheqjen Macronit, në ditën kur ai do të kishte mbushur tre muaj si kryeministër.
Politikani 73-vjeçar hyn në histori për dy arsye që nuk janë aspak pozitive, ai bëhet kryeministri francez me mandatin më të shkurtër në historinë moderne të vendit. Për më tepër, qeveria e tij është e para që bie në një mocion që nga viti 1962.
Sipas burimeve të AFP, Emmanuel Macron synon të emërojë sa më shpejt kryeministrin e ri, qoftë edhe brenda 24 orëve të ardhshme. Me fjalë të tjera, në fjalimin e sotëm para popullit francez, ai mund të shpallë emrin e pasuesit të Barnier.
Macron, siç thekson revista Paris Match, nuk do të dëshironte që vendi i tij të ishte pa një kryeministër kur Presidenti i SHBA Donald Trump , si dhe krerë të tjerë shteti dhe zyrtarë të lartë të jenë në Paris të shtunën për festimet e rihapjes së Notre Dame-s.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.