Ngjarje

Video/ Banorët e Rinasit sërish në protestë, udhëtarët e marrin në këmbë rrugën drejt aeroportit

Gazeta Si – Banorët e zonës së Rinasit kanë protestuar sërish këtë të mërkurë kundër vendimit të ARRSH-së për devijimin e rrugës drejt aeroportit me një sens lëvizjeje.

Në ditën e tyre të tretë të protestave, banorët janë mbledhur në afërsi të aeroportit, ndërsa ata që duhej të udhëtonin, e kanë marrë në këmbë rrugën drejt terminalit, duke braktisur automjetet.

Disa prej protestuesve, kanë marrë edhe fëmijët dhe nuk i kanë dërguar ata në shkollë në shenjë revolte ndaj vendimit të ARRSH.

Ata kanë bërë edhe një marshim drejt kthesës së Rinasit. Pranë aeroportit të Rinasit, ka pasur edhe forca të shumta policie për të shmangur çdo lloj problematike.

“Ne do bëjmë protestë deri kur ta lirojmë. Unë nuk kam nga shkoj. Fëmijët në shkollë nuk kam nga i çoj. Do i bjerë rreth e më rreth për të shkuar në Tiranë”, tha një qytetar.

Për shkak të bllokimit të rrugës, trafiku u rëndua edhe pse u tha se kishte edhe një rrugë alternative.

Ndërsa nën panikun e nisjes së avionit, udhëtarët lanë mjetet dhe u nisën në këmbë drejt aeroportit. Me valixhe në duar, ata janë parë duke nxituar për të mos humbur avionin drejt destinacionit të tyre.

Ndryshe nga protestat e dy radhëve më parë nuk kishte përplasje me policinë, edhe pse në një moment u duk se do të përballeshin.

Në tubimin e djeshmëm ARRSH u premtoi se aksi do të kthehej me dy sense, por fjala e dhënë nuk u mbajt. Ndaj edhe një herë bën thirrje për kthimin e jetës së tyre në normalitet.

ARRSH ka vendosur për një afat të pacaktuar që lëvizja drejt aeroportit të realizohet me një kalim, me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq.

Mjetet që vijnë nga veriu drejt Rinasit do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport. Banorët e këtyre fshatrave paralajmërojnë se do të vijojnë me protestat deri në anulimin e këtij vendimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë