Ngjarje

Banorët e Himarës shoqërohen në polici: Na premtuan lekë në këmbim të votës për Belerin

Gazeta Si - Disa qytetarë të Himarës kanë akuzuar Fredi Belerin, se ka kontaktuar njerëz të tij për blerjen e votave para zgjedhjeve lokale të 14 majit.

Ata janë shoqëruar nga policia në komisariatin e Vlorës dhe pas daljes prej andej kanë pranuar se u janë ofruar shuma në para në këmbim të votës për kandidatin e “Bashkë Fitojmë” për kryebashiak në Himarë.

“Ishte Beleri dhe na tha do të japim lekë. Nuk dua lekë i thashë. 100 mijë lekë për votë më tha. Isha unë, nusja dhe mamaja. Ne nuk pranuam. Nuk kemi marrë lekë”, - tha një qytetar.

“Na thanë do u japim secilit nga 10 mijë lekë për ta votuar. Vetë ai nuk më ka thënë gjë, por më kanë thënë Niko Panajoti: ‘Jepja votën Fredi Belerit’. Erdhën sot na morën në 3 pa 10 nga shtëpia”, - tha një tjetër qytetare, duke iu referuar shoqërimit në polici.

Një tjetër banore, ka treguar se ndaj tyre është ushtruar presion nga ana e Policisë së Vlorë, ndërsa thanë se jo vetëm që nuk kanë marrë lekë, por tashmë ata s’kanë as me çfarë të kthehen në shtëpitë e tyre në Himarë.

“Na kanë marrë në orën 2 e gjysmë, sepse do votonim për Demokratiken, na bënë presione të papara dhe na kanë përdorur një fjalor të paparë. Policia…Ne kërkuam ujë.. as na dha as ujë. Unë thashë jam e sëmurë, ndonjë ilaç ndonjë gjë, bukë të paktën, asnjë gjë. Tani na nxorën, kaq orë na kanë çnjerëzuar. Kanë përdorur një fjalor të paparë, një fjalor të ndyrë. Na mori pse do votoni për Demokratiken. Socialistja për lekë jo po na ka thënë votoni për mua, kurse këta të demokratikes jo. Unë kam dëshirë vetë, tani nga inati do ja jap Demokratikes”.

Fredi Beleri, kandidati i koalicionit 'Bashkë Fitojmë' për Bashkinë e Himarës u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Vlorës me akuzën e 'korrupsionit aktiv në zgjedhjet'.

Ai u ndalua nga policia mbrëmë në mesnatë, bashkë me 3 të tjerë, ndërkohë që ka qenë prej ditësh në hetim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë