Nga Gazeta ‘SI’ – Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.75%.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se inflacioni i çmimeve të konsumit qëndroi i pandryshuar, në nivelin 2%, në tremujorin e katërt të vitit 2024.
Ashtu si dhe në tremujorët e mëparshëm, luhatjet e tij gjatë muajve të fundit janë diktuar kryesisht nga ecuria në kah të kundërt e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës në tregjet ndërkombëtare.
“Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit. Në këtë kontekst, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit,” tha Sejko.
Sejko tha se ekonomia shqiptare u rrit me 4.1% gjatë tremujorit të tretë të vitit 2024.
“Rritja e ekonomisë është shoqëruar me rritje të punësimit, të pagave dhe të vëllimit të shitjeve të biznesit, duke gjeneruar më shumë të ardhura për bizneset e familjet shqiptare. Në të njëjtën kohë, nivelet e ulëta të inflacionit kanë rritur fuqinë blerëse të këtyre të ardhurave dhe kanë incentivuar investimet e sektorit privat. Krahas këtyre faktorëve, zgjerimi i aktivitetit është mbështetur edhe nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi i konsumatorit dhe biznesit për të ardhmen, si dhe nga ambienti stimulues financiar,” tha Sejko.
Sipas Guvernatorit, perspektiva ekonomike mbetet pozitive.
“Aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, i nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit. Paralelisht me të, edhe punësimi e pagat pritet të vijnë në rritje, duke rritur mirëqenien e familjeve. Rritja e ekonomisë pritet të mbetet e qëndrueshme dhe pranë potencialit, çka do të mundësojë një nivel presionesh të brendshme inflacioniste në linjë me objektivin,” tha Sejko.
Në konferencën për media, Guvernatori Gent Sejko foli mbi faktorët që kanë ndikuar në forcimin e lehtë të kursit të këmbimit përgjatë dy javëve e fundit.
“Sigurisht që kursi mbiçmohet ose nënçmohet sipas kërkesës dhe ofertës në treg, mund të ketë ndikuar edhe rritja e shpenzimeve të qeverisë shqiptare në tregun valutor. Çdo blerje që ne bëjmë shkon për efekt të rritjes së rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë. Vetëm gjatë 2024, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu rreth 1 miliardë euro për efekt të rezervës valutore, por gjithashtu dhe për ndërhyrje në kursin e këmbimit, për të stabilizuar kursin e këmbimit në treg”, tha Guvernatori.
Së fundmi, Banka e Shqipërisë ka bërë edhe ndryshime rregullative që pritet të përkthehen në një ulje të normave të interesit për kreditë konsumatore, si nga ana e bankave, ashtu edhe nga ana e institucioneve financiare jobanka.
“Në mbledhjen e sotme, ndryshimet rregullative konsistojnë në disa ndryshime që kanë të bëjnë me uljen e mëtejshme të normës së interesit për kreditë konsumatore nga institucionet bankare dhe jobankare. Gjithashtu dhe për një kufizim në komisionet e aplikuara nga këto institucione financiare bankare dhe jobankare lidhur me kredinë konsumatore dhe gjithashtu disa ndryshime që kanë të bëjnë me transparencën në raport me marrëdhëniet që kanë huamarrësit për kreditë konsumatore në institucionet financiare dhe jobanka.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.