Ngjarje

Ballokume nga Elbasani në Tiranë por Dita e Verës e vakët për shitësit

Nga Gazeta Si- Edhe pse e favorizuar nga temperaturat e larta dhe dielli, Dita e Verës nuk është më dita e lavdisë për shitësit nëpër kioska, të cilët janë shprehur për Gazetasi.al se ka rënë interesi për të blerë, më së shumti produkte të ndryshme por edhe ballokume dhe verore.

Vetë shitësit në kioska e pohojnë këtë, me keqardhje, duke thënë se nuk prisnin që të kishin kaq pak shitje.

“Edhe pse është shpejt të them se s’ka shitje sepse është ende paradite por duket si do vijojë se siç thonë, dita e mirë duket që në mëngjes”, tha për Gazetasi.al Lumturie B., e cila kishte ardhur nga Elbasani për të shitur ballokume dhe verore në Tiranë, siç ka bërë vitet e fundit.

Ajo tregon për Gazetasi.al se vitet e tjera radha për të blerë në kioskën e saj ishte duke nisur nga mëngjesi e deri pas dreke, diçka që këtë vit ka ndryshuar.

“Edhe njerëzit që pyesin, nuk blejnë. Vitin e kaluar kam shitur më shumë se 100 ballokume deri në orën 11.00 ndërsa sot siç e sheh, i kam të gjitha këtu, nuk e di nëse i kam shitur 20”, shprehet ajo.

Një tjetër shitëse në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjithashtu ‘ankohet’ për shitjet e këtij viti, duke thënë se Ditën e Verës e pret gjithë vitin për të shitur ballokume, verore dhe produkte të tjera si mjaltë, reçel etj., por këtë vit nuk është shpresplotë.

“Njerëz kanë kaluar këtu por nuk blejnë. Maksimumi pyesin për çmimet apo produktet. Mjaltë dhe reçel ende nuk kam shitur, vetëm ballokume dhe verore”, thotë ajo.

Nga ana tjetër, ballokumet janë kthyer në një biznes të mirëfilltë, ku konkurrenca shihet në çmime.

Në vetëm disa metra largësi nga një kioskë në tjetrën, çmimet e ballokumeve variojnë nga 100 lekë në 250 lekë, ku të gjithë shitësit ‘garantojnë’ se janë ballokume Elbasani, edhe pse me çmime të ndryshme.

“Janë ballokume Elbasani, i kanë bërë gratë e Elbasanit prandaj kushtojnë 250 lekë”, tha një nga shitësit kur u pyet se pse janë më shtrenjtë.

Por, të njëjtën gjë e thonë edhe shitësit që u kanë vënë çmim më të ulët, duke shtuar se është i njëjti çmim si çdo vit dhe nuk ka asnjë arsye pse të ndryshojë.

Shitës të tjerë kanë vendosur të shfrytëzojnë ditën për të shitur edhe produkte që ndoshta nuk janë tradicionale për Ditën e Verës.

Në kioska po shiteshin edhe perime si brokoli, kungull, lulelakër etj, si një mënyrë për të fituar sa më shumë në këtë ditë.

Dy shitësit e një kioske thanë për Gazetasi.al se vijnë nga fshatrat e Tiranës dhe shesin në treg por sot kishin vendosur të shisnin në bulevard, “për të fituar ndonjë para duke qenë se të gjithë këtu do mblidhen sot”.

Në Ditën e Verës, një rëndësi e veçantë u është kushtuar edhe fëmijëve, me ambiente sportive të përshtatura në të gjithë Bulevardin.

Fëmijë nga shkolla të ndryshme të Tiranës ishin pjesë duke luajtur lojëra si tenis, basketboll, futboll, taekwondo ndërkohë që prindër dhe fëmijë të tjerë i shikonin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë