Ka ndodhur

Balla takim në Durrës: Mbështesim idenë e ndalimit të rrjeteve sociale për më të vegjlit se 16-vjeç

Nga Gazeta 'SI' - Ministri i Brendshëm Taulant Balla mbështet idenë e ndalimit të përdorimit të rrjeteve sociale nga personat nën 16-vjeç. Nga Durrësi, ministri Balla tha se ndalimi i përdorimit të tyre nga moshat 16-vjeç e poshtë, siç ka bërë së fundmi shteti i Floridas në SHBA, është një ide e mirë.

"Edhe kjo çështje dhe kjo ngjarje ka qenë pjesë e trajtimit të analizës sonë. Ju e dini që për rastin në fjalë, Policia e ka bërë detyrën e vetë, ka bërë referimin në prokurori. Ky është një diskutim që nuk do të kthehet më mbrapsht dhe nuk do të lihet më në sirtar", tha Balla i pyetur lidhur me ngjarjen që ka ndodhur në Durrës Bedrie Loka nëna e katër fëmijëve që dhunohej nga bashkëshorti  i dha fund jetës pas bullizimeve në rrjete sociale.

"Bën pjesë në prioritetet e mia, sa i përket mbrojtjes së jetës private të qytetarëve. Sa i takon mbrojtjes kryesisht të fëmijëve dhe të rinjve nga fenomene si bullizmi, por bullizmi nuk po njeh moshë. Jam njohur sot me një iniciativë të ndërmarrë nga një prej shteteve të SHBA, në Florida, për të vënë kufizime në përdorimin e rrjeteve sociale, pra për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën 16 vjeç. Mendoj që është një ide e mirë. Qytetarët të referojnë çdo problem me rrjetet sociale në polici. Në Durrës ne kemi një seksion të posaçëm", shtoi Balla.

"E vërteta është që ne i ndjekim dhe kemi pasur raste të suksesshme të bllokimit të faqeve nga vjen sulmi, por shkojmë përtej në bashkëpunim me prokurorinë. Këtu dua të nxis prokurorët të jenë më bashkëpunues", tha më tej ministri.

Më tej gjatë fjalës së tij, Balla tha se qarkullimi rrugor mbetet një prej sfidave më të mëdha.

"Qarkullimi rrugor mbetet një nga sfidat tonë, shqetësimi im mbetet adresimi i shkeljeve rrugore. U bëj thirrje përdoruesve të rrugës, të reflektojnë për një respektim dhe më të madh të rregullave të qarkullimit rrugor. Edhe këmbësorët duhet të reflektojnë për një respektim më të madh të rregullave të qarkullimit rrugor. Procesi i vetëpastrimit të policisë së shtetit ka qenë pjesë e diskutimit tonë. Besoj se kam qenë i qartë me të gjithë që në punë  e tyre duhet të orientohen vetëm nga ligji”.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ngushëlloi familjen e nënkomisarit, Arben Pjeçi, i cili vrau veten në Komisariatin e Durrësit disa ditë më parë. Balla nënvizoi se, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë po bën verifikimet e veta dhe AMP po bën verifikimet e veta për këtë ngjarje.

“Prej atij momenti të parë, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm, kemi bërë të gjitha verifikimet tona, edhe si koleg, por edhe si qytetar, se kush janë shkaqet që e kanë çuar në atë vendim.  Të them të drejtën nuk na dha mundësinë që ta merrnim në konsideratë një ankesë prej tij, qoftë për faktin që Policia e Shtetit ka qenë e detyruar të zbatojë një vendim gjykate. Por na duhet një përkujdesje më e madhe dhe një komunikim më i hapur dhe më miqësor me çdo punonjës Policie në të gjitha nivelet për të kuptuar në fakt edhe problematika të tjera, që ndoshta nuk lidhen me punën e policisë, edhe një qasje tjetër të shërbimit me psikolog”, - tha Balla.

Ministri i Brendshën Taulant Balla, në analizën vjetore të policisë së Durrësit kërkoi rihetim te ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura në këtë qark në 30 vitet e fundit.

Pjese e analizës sot në drejtorine e policisë së Durresit ishte edhe rikthimi i vëmendjes dhe rihapja ngjarjeve kriminale, kemi 56 ngjarje te renda kriminale për të cilat drejtësia nuk e ka thënë fjalën e saj”, tha Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë