Nëse zgjedhjet për Parlamentin Europian do të zhvilloheshin sot, partitë tradicionale europiane do të konfirmoheshin si forcat kryesore, por me një rënie të fortë në krahasim me zgjedhjet e kaluara, ndërkohë që ka një fuqizim të ndjeshëm të qendrës, por edhe të forcave euroskeptike.
Një sondazh i publikuar së fundmi nga “Poll of Polls”, pjesë e kompanisë mediatike amerikane “Politico”, ku kanë marrë pjesë mijëra qytetarë nga 28 vendet e Bashkimit Europian, përfshirë këtu edhe Britaninë e Madhe, jep një panoramë të përafërt mbi përbërjen e Parlamentit Europian në vjeshtën që po vjen.
Sondazhi është një konfirmim i tkurrjes së qëndrimeve të pavendosura, ose ato që njiheshin si “neutrale” deri më tani, e që në përbërjen e Parlamentit Europian vlerësoheshin si forca zbutëse në përplasjet mes grupimeve politike kryesore, sidomos me ekstremistët e djathtë dhe euroskeptikët e tjerë.
Rezultati projekton se nga këto zgjedhje, në PE numri i europarlamentarëve të kategorizuar si “të paqartë” në qëndrimin e tyre, nëse janë pro Bashkimit Europian, apo përfshihen në grupin e euroskeptikëve tkurret në vetëm 27 mandate.

Nga leximi i kësaj harte shihet fragmentarizimi i mëtejshëm i votës së qytetarëve të BE-së. Të djathtët pritet të fitojnë në Gjermani, Austri, Greqi, Poloni dhe disa vende të tjera, ndërsa e majta fituese shpallet në Spanjë, Bullgari dhe në Suedi. ALDE renditet si grupim i parë në Francë, Holandë dhe Çeki, ndërsa aleanca e Salvinit vetëm në Itali.
Sondazhi përfshin edhe Britaninë e Madhe, megjithëse kjo e fundit është në një proces të vështirë shkëputjeje nga unioni. Sipas sondazhit, nëse do të votohej sot për zgjedhjet parlamentare europiane në Britani, laburistët do të fitonin shumicën, ndërsa euroskeptikët do të binin me 11 mandate në krahasim me 2014, kohë kur morën 45 mandate.
Duke analizuar këto të dhëna, “Politico” thotë se ky është një reflektim i ashpërsimit të ndasive të thella të grupimeve të ndryshme parlamentare mbi politikat e emigrimit, sigurisë dhe ekonomisë. Por, e sigurtë është që edhe pas këtyre zgjedhjeve, forcat pro Bashkimit Europian, që përbëhen nga dy grupimet kryesore, Partitë Popullore Europiane të së djathtës dhe Aleanca Progresiste e Socialdemokratëve të së majtës do të vazhdojnë të dominojnë Parlamentin Europian.
PPE dhe udhëheqësi i saj, Manfred Weber pritet të konfirmohet grupimi kryesor, megjithëse me një rënie të ndjeshme prej -46 mandatesh në total në krahasim me rezultatin e 2014. Edhe socialistët projektohen me rënie në krahasim me 2014, por me një rritje të lehtë në krahasim me sondazhet e paraardhëse.
Çfarë nënkupton ky rezultat?
Parlamenti Europian është ai që ka fjalën e fundit për çdo vendim thelbësor sa u takon institucioneve të tjera të Bashkimit Europian. Nga këtu burojnë emrat që do të drejtojnë në mandatin e ardhshëm Komisionin Europian dhe të tjerët që do të përcaktojnë politikat e Brukselit sa i takon emigracionit, sigurisë, ekstremizmit dhe mbi të gjitha zgjerimit.
Të djathtët dhe të majtët tradicionalë, dy grupimet më të mëdha, edhe pse në vitet e fundit me një gjuhë më të kujdesur e diplomatike, kanë mbështetur gjithmonë procesin e zgjerimit. Linja pro zgjerimit e tyre nuk parashikohet që të ndryshojë, por ajo që ndryshon, sipas këtij sondazhi, është numri i kartonëve.

Deri më tani, dy grupimet kanë numrat e mjaftueshëm në PE për të bërë shumicën, por sipas këtij projeksioni, pas këtyre zgjedhjeve nuk do ta kenë më këtë shumicë. Kjo do të thotë se për vendimmarrjen e PE-së, përfshirë këtu për qëndrimet ndaj zgjerimit, përcaktues do të jenë grupimet e tjera.
As Manfred Weber i së djathtës dhe as Frans Timmermans i së majtës nuk presin që të marrin mbështetje nga grupimet euroskeptike, të paktën jo pa lëshuar pe në politikat e dy grupimeve kryesore sa i takon sigurisë, emigracionit, ekonomisë dhe zgjerimit. Kjo do të thotë se grupimi i udhëhequr nga Salvini, që parashikohet të marrë 72 mandate, grupimi i Lëvizjes 5 Yjet dhe ai antikonformistëve të së Majtës së Bashkuar Europiane përjashtohen si opsion për të siguruar shumicën.

Pra, ata që do të vendosin janë grupimet e qendrës, si Aleanca e Liberaldemokratëve (ALDE) me En Marche të Macron dhe të gjelbërit. Grupimi i parë parashikohet të marrë 100 mandate, ndërsa të dytët 56. Këto shifra, nëse u bashkangjiten parashikimeve prej 170 mandatesh të PPE-së dhe 142 mandatesh të eurosocialistëve do të mundësonin një shumicë të qëndrueshme në parlamentin me 751 anëtarë. Përveç kësaj, nuk përjashtohet edhe mundësia e sigurimit të mbështetjes edhe nga një grup eurodeputetësh që do të dalin nga partitë e reja të palidhura me asnjë grupim të deritanishëm të PE-së. Parashikimet flasin për një rritje të fortë të kësaj kategorie me 75 mandate, 54 më shumë nga mandatet që gëzojnë aktualisht.
Po për zgjerimin?
Presidenti francez, Emmanuel Macron kërkoi që të mos flitej për zgjerimin në samitin me vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit. Qëndrimi i tij i ashpërsuar përsa i takon kësaj teme u interpretua si qëndrim i kushtëzuar nga zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe presioni i forcave ekstremiste gjithnjë e në rritje.
Nisur nga parashikimet e sondazheve, që e nxjerrin aleancën e partisë së Macron si forcë të tretë në Parlamentin Europian, mbetet për t’u parë nëse ky qëndrim skeptik sa i takon zgjerimit do të përsëritet edhe pas procesit zgjedhor, apo Parisi do të rikthehet në qëndrimin e mëparshëm si partizan, edhe pse jo fort i zellshëm, i këtij procesi.

Nga ky qëndrim do të varet edhe humori i vetë Parlamentin Europian sa i takon zgjerimit, nisur nga fakti që PPE dhe S&D nuk parashikohen që të përfitojnë shumicën për të imponuar me forcën e kartonave qëndrimet e tyre. Pra, aleanca e ALDE me En Marche të Macron, si dhe të gjelbërit, sipas këtij projeksioni të “Politico” do të jenë vendimtarë në PE.
Për vendet kandidate, përfshirë këtu Shqipërinë kjo mund të interpretohet si një “dhimbje koke” shtesë në ambicien për anëtarësim në Bashkimin Europian, sepse përplasjet e brendshme në BE dhe balancat e brishta të grupimeve që parashikohet të dalin pas këtyre zgjedhjeve do të kushtëzonin edhe zellin e tonin e zyrtarëve më prozgjerimit në Bruksel.
Lajmi i mirë
Në gjithë këtë “amulli” që parashikon ky sondazh, brenda lajmit të madh të keq sa i takon procesit të zgjerimit, ka një lajm të mirë. Vërtet parashikohet që euroskeptikët të fitojnë terren ndjeshëm, por ata nuk mund të sigurojnë shumicën, e për më tepër mes vetë euroskeptikëve ka disa dallime të forta.
Matteo Salvini e di mirë këtë pjesë, ndaj kohët e fundit u vu në lëvizje për të bërë bashkë të gjitha partitë ekstremiste e populiste që përafrohen me programet e tyre. “Qëllimi ynë është që në fund të jemi një forcë qeverisëse dhe një forcë ndryshimi”, tha ai nga Milano ku mblodhi AfD-në gjermane, Partinë Popullore Daneze, populistët finlandezë dhe ata austriakë. Por, mungesat e mëdha ishin ato të “Frontit Nacional” të Marine Le Pen në Francë dhe të populistëve holandezë.

Gjithsesi, Salvini ja doli mbanë që në aleancën e tij të përfshirë ekstremistët gjermanë, austriakët, polakët dhe finlandezët. Përpjekja e tij për të unifikuar këto grupime nuk është ndalur me kaq. Ai zotohet se do të bashkëpunojë me partinë e Viktor Orban në Hungari, që në letër është pjesë e PPE-së, por në praktikë po akuzohet për politika ekstremiste dhe me Frontin Nacional të Marine Le Pen. Objektiv është formimi i një grupimi të vetëm, që sipas Salvinit do të ishte më i madhi në PE, që do t’u mundësonte këtyre partive të përcaktonin jo vetëm drejtuesit e institucioneve të tjera të unionit, por edhe vetë politikat e Brukselit.
Deri më tani, Salvini nuk ja ka dalë mbanë plotësisht në misionin e tij, por ekspertët kërkojnë që të mos nënvlerësohet, pasi e shkuara e afërt ka provuar se ai është njeriu i koalicioneve të pazakonta, si ai i ndërtuar me 5 Yjet në Romë në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Shqiptarët, të palëkundur
Pavarësisht sondazheve që tregojnë një rritje të pakënaqësisë së qytetarëve të Bashkimit Europian, shqiptarët vijojnë të mbeten të vendosur në ambicien për integrim. Në kohën kur “Politico” publikonte këtë sondazh, rezultatet e një tjetër sondazhi prezantoheshin në Tiranë nga ambasadori i BE-së, Luigi Soreca në kuadër të “Javës Europiane”.
Sipas këtij sondazhi, 93% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Soreca theksoi se shqiptarët e duan BE-në dhe se fokusi i Bashkimit Europian në Shqipëri është rinia.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë thotë se sondazhi tregon që mbështetja e qytetarëve shqiptarë ndaj BE-së që në vitin 2014 ka ardhur në rritje. Sipas sondazhit, qytetarët shqiptarë kanë një opinion pozitiv për mënyrën se si e trajton BE-ja Shqipërinë dhe sipas tyre kushtet e caktuara nga BE-ja për Shqipërinë qëndrojnë.
I pranishëm në publikimin e të dhënave të këtij sondazhi ishte dhe ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj.
“Hapja e negociatave nuk do të jetë kurorëzim i ndryshimeve që ne duam, por një mundësi shtesë për të arritur atë që duam”. Ne jemi një shoqëri që më shumë se 90 për qind e mbështesim integrimin në BE. Ky nuk është një stacion politik por një detyrim ndërkombëtar”, deklaronte ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





