Analize

Orban-Salvini dhe boshti populist. Europa rrezikon të mos zgjerohet

Të djathtët, populistët dhe ekstremistët evropianë – të njohur për qëndrimin e tyre refraktar kundër zgjerimit të mëtejshmë të Bashkimit Evropian - po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt krijimit të një boshti të fortë politik, në prag të zgjedhjeve evropiane, ku sondazhet e deritanishme i kanë nxjerrë me rritje të konsiderueshme.


"Nëse Partia Popullore Evropiane dëgjon krahun e saj të majtë, atëherë ajo kryen vetëvrasje dhe do të fundoset". Me këto fjalë e priti këtë të enjte në Budapest kryeministri hungarez Viktor Orban zëvendëskryeministrin italian Matteo Salvini. Orban e konsideroi kreun e Lidhjes së Veriut si figurën më të rëndësishme në Evropë për të “ndalur migracionin dhe transformuar Bashkimin Evropian”.

Stefano Bottoni

Matteo Salvini vizitoi të mërkurën Budapestin ku u takua me Kryeministrin hungarez Viktor Orban në një përpjekje për të përforcuar aleancën e tyre politike dhe për të  zbatuar agjendën e përbashkët kundër emigracionit.

“Të gjitha partitë europiane, përveç atyre që janë pjesë e PPE-së do të konsiderohen si aleatë të partive të krahut të djathtë të Italisë në zgjedhjet e ardhshme të BE, tha Matteo Salvini.  "Ne do të punojmë së bashku me mikun tim Viktor pas 26 majit," tha Salvini pas takimit.

Kryeministri i Hungarisë fajësoi “familjen” e tij politike në parlamentin europian, PPE-në se kishte qenë shumë e ashpër ndaj partive të krahut të djathtë që kërkonin mbrojtjen e kufijve europianë.

Orbán gjithashtu i tha shtypit se partia e tij Fidesz kërkon haptazi bashkëpunim me Salvinin dhe partinë e Frontit Nacioanal në Francë.

Pas takimit me homologun e tij hungarez Sándor Pintér në Budapest , Salvini vizitoi gardhin prej 175 kilometrash të ndërtuar në kufirin e Hungarezë me Serbinë në vitin 2015.

“Barrierat fizike janë mënyra e vetme që Hungaria të sigurojë kufijtë e saj”, tha Pinter.

Ai shtoi se Italia ndan pikëpamjen e njëjtë si Hungaria në temën e migracionit, duke shtuar se qëllimi i dyja vendeve është rishikimi i marrëveshjeve bilaterale financiare me vendet e treta që nuk lehtësojnë kthimin e shtetasve të tyre.

"Ne shpresojmë që Evropa e re do të ngrihet pas 26 majit, do të mbrojë kufijtë e saj nga toka, siç bën Hungaria dhe nga deti, ashtu siç bën Italia", tha Salvini.

Stefano Bottoni, një profesor i Akademisë Hungareze të Shkencave shprehet se "Viktor Orban nuk ka nevojë për parti si AFD-ja gjermane apo “Rassemblement National” në Francë, sepse edhe pse po mbledhin gjithnjë e më shumë vota në vendet e tyre, nuk do të arrijnë në afat të shkurtër të jenë pjesë e koalicioneve qeverisëse. Për këtë arsye, - sipas prrofesor Bottonit – në një mënyrë shumë pragmatiste Orban po ngre një agjendë të re përsa i përket politikës evropiane: Ai ka nevojë për fuqi të forta dhe për këtë arsye ka piketuar Matteto Salvinin si një partner potencial.
"Orban - shton Bottoni – po kërkon të ndihmojë Matteo Salvinin që të bëhet një protagonist i vërtetë europian. Salvini është një aktor mjaft i fortë në politikën e brendshme italiane, por pesha e tij evropiane nuk duket kaq e madhe. Partia që udhëheq Hungarinë, Fidesz, preferon të qëndrojë në Partinë Popullore Evropian, por kryeministri ka një plan nëse nacionalistët do të konsideroheshin tepër ekstremistë pas zgjedhjeve evropiane.
“Plani i Viktor Orbanit, sipas meje, është më shumë që të krijojë në perspektivë një koalicion mes Partisë Popullore Europiane dhe të djathtës së re evropiane, në të cilën Matteo Salvini, Heinz-Christian Strache, i Partisë Austriake të Lirisë, politikanë të tjerë të Europës qendrore-lindore dhe ndoshta edhe të Europës perëndimore, do të luajnë një rol të rëndësishëm. Me 15-16 deputetë, Orban dhe partia e tij mund të jenë vendimtarë për Partinë Popullore dhe mbi këtë bazë Orban po e luan lojën e tij.

Viktor Orban dhe Matteo Salvini, sot në Budapest

Orbáni ka deklaruar disa herë javët e fundit se zgjedhjet e ardhshme do të vendosin për të ardhmen e civilizimit të krishterë evropian. Që tani, sipas tij, të krishterët po diskriminohen në Evropë, ndërsa myslimanëve po u jepet përparësi.
Është pikërisht kjo retorikë, e cila ka rezultuar së fundi me largimin e Fidesz-it nga PPE, për shkak të pakënaqësisë gjithnjë e më të madhe me politikën e Orbánit dhe tendencat jo demokratike në Hungari.
Orbán e ka shkaktuar qëllimisht këtë konflikt me PPE, por ai do të dëshironte të mbetej në gjirin e këtyre partive, me qëllim që t'i përfitojë ato për politikën e vet. Kjo me synimin që të forcojë influencën e vet tek krahu i djathtë politik. Kjo shihet edhe nga fakti që Fidesz-i ka refuzuar deri tani bashkëpunimin e drejtpërdrejtë me partitë djathtiste, ndër to edhe me Alternativën për Gjermani AfD. Orbáni nuk e ka mbështetur as idenë e Salvinit në prill të këtij viti për krijimin e një "Aleance të popujve dhe kombeve evropiane".
Ai ka bërë të ditur se pas Salvinit do të takohet edhe me ish-kancelarin austriak, shefin e FPÖ, Heinz-Christian Strache.

Europianët votojnë edhe për fatin e Ballkanit
Që nga zgjedhjet e para për Parlamentin Europian në vitin 1979, vendet e Ballkanit shikonin nga larg pa e ditur nëse një ditë do të mund të bëheshim pjesë e BE-së ose jo.
40 vite më vonë Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet jashtë unionit, ndërkohë që kontinenti i vjetër përgatitet më i përçarë së kurrë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Këtë herë, megjithatë, rreziqet dhe pasojat e drejtpërdrejta mbi qytetarët e Ballkanit duket të jenë më të larta se më parë. Për herë të parë në një periudhë të gjatë, europianët që shkojnë në qendrat e votimit mes 23 dhe 26 majit do të kenë një mundësi për të zgjedhur midis dy vizioneve të kundërta për të ardhmen e Europës, njëri prej të cilëve mbështet antarësimin e Ballkanit dhe tjetri që është kundër zgjerimit të mëtejshëm të unionit.

Për më tepër, zgjedhjet do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në drejtimin e përgjithshëm politik të Komisionit të ri Europian.
Sipas ekspertëve, nuk ka dyshim që këto zgjedhje do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek politikat e zgjerimit të unionit europian. Pyetjet e vetme janë: si dhe në çfarë shkalle?
Që nga viti 2014, në Parlamentin Europian prej 750 vendesh janë ulur tetë grupe të ndryshme deputetësh. Më i madhi është koalicioni i madh i Partisë Popullore Evropiane Qendrore (PPE), i përbërë nga parti të djathta, liberale dhe të majta. Pas tij vjen grupi i konservatorëve europianë (ECR), anëtarët e të cilave përfshijnë Partinë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar dhe partinë qeveritare polake. Ai është grupi më i madh opozitar, por zgjedhjet e ardhshme kanë të ngjarë të ndryshojnë ekuilibrat e parlamentit.

Salvini, “koka” e partive populiste
Në fillim të prillit, Matteo Salvini mblodhi në Milano të gjitha partitë populiste për të shkundur sipas tij nga themelet Brukselin zyrtar. Kreu i ekstremit të djathtë në Itali deklaroi se synon të formojë grupin më të madh në Parlamentin Europian, pasi bashkoi me forcat me euroskeptikët e BE- për të nisur fushatën e tij zgjedhore. Salvini që njihet për politikat e tij të ashpra kundër emigracionit, por edhe zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Evropian, tha se do të “ndryshojë rregullat e Europës”, duke nënvizuar se dëshiron që grupi i ri të luajë një rol vendimtar në zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të ardhshëm Europian më vonë këtë vit pas zgjedhjeve të këtij muaji.

Gjatë takimit në Milano

“Qëllimi ynë është që në fund të jemi një forcë qeverisëse dhe një forcë ndryshimi”, tha Salvini. Ai u shpreh se partitë që u mblodhën në Milano do të punonin së bashku me aleatët tradicionalë të partisë së tij, si Marine Le Pen dhe kryeministri hungarez Viktor Orban. “Të gjithë ne ndajmë shqetësime të përbashkëta, duke përfshirë kontrollin e kufirit dhe luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit”, deklaroi zëvendëskryeministri italian. “Ne duhet të vendosim punën, familjen, sigurinë, mbrojtjen e mjedisit përsëri në qendër të punës së BE-së”, u shpreh Salvini.

Në janar të këtij viti, kryebashkiakët e tre qyteteve të mëdha italiane kanë refuzuar t’i binden ligji të ri kundër emigrantëve të hartuar nga zëvendëskryeministri Matteo Salvini, duke e cilësuar si anti-kushtetues. Salvini kërkoi dorëheqjen kryebashkiakëve “rebelë” të Firences, Palermos dhe Napolit, të cilët kanë kundërshtuar ministrin e brendshëm, duke marrë madje edhe emigrantët e bllokuar në det. “Ky ligj nxit kriminalitetin, në vend që ta luftojë ose parandalojë atë,” tha Leoluca Orlando, kryebashkiaku i Palermos. “Ai shkel të drejtat e njeriut. Ka mijëra, dhjetëra mijëra njerëz që banojnë ligjërisht këtu në Itali, të cilët paguajnë taksat, sigurimet shoqërore dhe brenda disa javëve ose muajve do të bëhen … të paligjshëm “, pohoi ai. Ligji i ri kundër emigrantëve, i miratuar nga parlamenti italian më 28 nëntor 2018, e bën më të lehtë dëbimin e të sapoardhurve dhe për të kufizuar lejet e qëndrimit në vendin fqinj, i cili është kthyer përgjatë viteve të fundit në portën kryesore për emigrantët që kalojnë Mesdheun.

“Do të fitojnë ekstremistët, anti-evropianët, populistët dhe nacionalistët”
“Fituesit më të mëdhenj të zgjedhjeve do të jenë grupet ekstreme, anti-evropianët, populistët dhe nacionalistët. Pritet të shohim humbës të mëdhenj mes partive tradicionalisht pro-europiane, sidomos të majtës tradicionale”, thotë Fabian Zuleeg, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Europiane të Politikave.
Florian Bieber, profesor në Universitetin e Gracit dhe koordinator i Grupit Këshillues të Politikave për Ballkanin (BiEPAG), ka të njëjtin mendim. “Mendoj se mund të presim një parlament më të larmishëm, pasi disa nga blloqet më të vogla do të fitojnë një pjesë të madhë të karrigeve të parlamentit. Kjo do të thotë se do të kemi një BE më të komplikuar “, theksoi ai.

Florian Bieber

Ndikimi më i menjëhershëm i zgjedhjeve të vitit 2019 për rajonin e Ballkanit Perëndimor është përbërja e Komisionit të ardhshëm Europian. Sytë e gjashtë vendeve të rajonit do të jenë nga delegatët e ardhshëm të zyrave të Përfaqësuesve të Lartë dhe Komisionerit për Zgjerimit. Ka edhe dyshime nëse kjo e fundit do të vazhdojë të punojë në formën aktuale pas zgjedhjeve.
Është e vështirë të imagjinohet një ndryshim i pozitave të PPE-së në drejtim të zgjerimit, të cilat kanë vënë një theks të veçantë në kryerjen e të gjitha reformave të nevojshme dhe mbylljen e çdo kapitulli negociues, duke nënkuptuar se pranimi i vendeve të Ballkanit do të ndodhë së shpejti. Nga ana tjetër, një koalicion me liberalët, sidomos Macronin dhe Kryeministrin holandez, të dy kundërshtarë të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, mund të sjellë ndryshime të papëlqyeshme për rajonin. Partitë e ulura në Parlament janë gjithashtu një çështje e rëndësishme, për shkak të ndikimit që ky institucion ka në orientimin e përgjithshëm politik të Bashkimit Europian.

Kush është kundër antarësimit të Shqipërisë?

Lufta kundër korrupsionit dhe krimi i organizuar duket se kanë bërë që dy nga shtetet më të fuqishme të Europës të paralajmërojnë se mund t’i mbyllin derën Shqipërisë. Presidenti Emannuel Macron dhe parlamenti holandez kanë kundërshtuar anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian, duke theksuar se Shqipëria nuk është ende gati.
Në korrik, 125 deputetë të parlamentit holandez kanë votuar kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, pasi shumica e partive të kishin shprehur kritika mbi zbatimin e reformave në Shqipëri, kryesisht vettingun dhe reformën në drejtësi.
Holanda solli një mision faktmbledhës në vendin tonë me shtatë deputetë nga partitë kryesore parlamentare në Holandë. Ata shprehën skepticizëm dhe kanë thënë se Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave. Ata zhvilluan takime me Kryeministrin Edi Rama, kreun e opozitës Lulzim Basha dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Samiti i Berlinit

Por Holanda nuk është e vetmja që mund t’i vërë veton hapjes së negociateve të anëtarësimit me Shqipërinë. Franca dhe Danimarka kanë sinjalizuar gjithashtu se nuk e mbështetin anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. Madje në Samitin e Berlinit, të para pak ditëve, presidenti francez Emmanuel Macron as që deshi ta përmendte çështjen e zgjerimit pak përpara zgjedhjeve të BE-së. Ai ka frikë se kjo çështje do të tërheqë skeptikët e BE-së, dhe dëshiron të sigurojë shumicën e gjerë në Parlamentin Europian për reformat e tij.

Ansa, Euronews, DW


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë