Dy pretendentët kryesorë në kampionatin amerikan të basketbollit, Golden Stejt Uorriës dhe Miluoki Baks ka fituar edhe në ndeshjet e dyta në finalet e konferencës. Të dyja tashmë udhëheqin 2-0 ndaj Torontos dhe Portland, dhe janë shumë pranë finales së madhe të NBA për këtë sezon. Prova e madhe që duhet të kalojnë tashmë janë dy ndeshjet e radhës që do t'i kenë në fusha kundërshtare. Për Potland dhe Toronton dy ndeshjet e fundit janë shanset e fundit për të shpresuar se mund të shkojnë në finalen e NBA.
Në ndeshjen e zhvilluar në “Fiserv Forum”, Miluoki nuk pati shumë probleme me Toronton, duke triumfuar në shifrat e thella 125-103. Më të mirët në fushë ishin të zakonshmit, greku Antetokounmpo dhe turku Iljsova, që me lojën e tyre e bënë të pavlefshme performancën e mirë të Leonard për Toronton.
Ndërsa sfida tjetër e luajtur në “Oracle Arena” ishte më e luftuar. Golden Stejt vuajti më shumë në këtë ndeshje të dytë dhe do të duhej raundi i katërt për të përcaktuar ekipin fitues. Stefën Kerri dhe Tomson ishin më të mirët në parket, për kampionët në fuqi. Ndërsa forma mbimesatare e Liard nuk e shpëtoi këtë ndeshje për Portland që tashmë shpreson te dy ndeshjet në shtëpi për të kthyer historinë e këtyre finaleve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.