Ana e errët

‘Babi e rrahu mamin pasi ajo u përpoq të telefonojë policinë’. Burri: S’është e vërtetë, gruaja më qëlloi me celular

Një 44-vjeçar e justifikoi dhunën ndaj gruas me veprimet që ajo kryente duke u përpjekur që ta kontrollonte dhe të kishte informacion ndaj tij.

Por çdo fjali e shtetasit A.M ishte e pabazuar, thotë policia numër pesë që i hodhi atij prangat për dhunë në familje, pasi kundër tij dolën tre fëmijët që treguan se në një rast ai e kishte rrahur gruan dy herë, pasi pas dhunës së parë ajo tentoi të telefonojë policinë dhe ai iu kthye duke e dhunuar sërish.

Martesa e çiftit që kishte startuar 17 vite më parë, sipas të shoqes ishte një celebrim i palumtur, i shoqëruar pothuajse përditë me grindje dhe dhunë fizike. Policia thotë për Gazetasi.al se çifti ka tre fëmijë dhe se gruaja u dorëzua dhe nuk duroi më dot ditën kur ndaj saj u përdor çdo send duke iu hedhur në fytyrë.

Një ekspert që kreu kqyrjen, vërejti plagë në fytyrën e gruas, por edhe gërvishtje në vetulla dhe në veshë.

Megjithatë, kryefamiljari e ka patur një alibi, sqaron policia për Gazetasi.al, duke iu përmbajtur versionit që ai dha përpara se të arrestohej.

“Isha jashtë shtëpisë për arsye pune. Kur u ktheva në banesë, gruaja që më kishte kontrolluar telefonin, mesazhet dhe komunikimet sapo hyra më qëlloi me të. Më gjuajti dhe me sende të tjera që nuk i mbaj mend. Për të shmangur debatin u drejtova nga dhoma e gjumit, që të bëja rrobat dhe të ikja nga sytë këmbët. Dhe këto konflikte i kemi patur shpesh kohët e fundit ndaj unë qëndroja sa më pak në shtëpi. Kam dashur t’i stabilizoj marrëdhëniet, por gruaja nuk do. Kam dashur të pajtohemi se është hatri i fëmijëve në mes, por ajo nuk pranon paqe”, thotë 44 vjeçari përpara policisë duke mohuar që ta kishte rrahur e duke kërkuar ekspertizë pasi sipas tij policia nuk i dallonte dot me sy të lirë plagët që gruaja i shkaktoi.

Por të kundërtën rrëfen gruaja. Ajo e përshkruan të shoqin si një përdorues të përditshëm alkooli dhe bixhozi.

“Burri im nuk ka punuar asnjëherë, ai pi, mos të them që i ka të gjitha. Pi edhe drogë, luan bixhoz. Kur u ktheva nga puna po luante me fëmijët. Sa hyra më tha: OK. pse ke ardhur?. Më kapi nga bluza dhe po thoshte zhduku prej këtu".
Gruaja tregon se si i biri e ndiqte hap pas hapi të atin duke e pyetur se çfarë bënte dhe çfarë e kishte atë sjellje.

“Hyra në dhomë për të bërë rrobat e mia. Burri më rrëmbeu telefonin duke thënë: ‘Ta kam blerë unë me kursimet e mia.’”

Gruaja përmend se ka duruar për fëmijët dhe se vitet e bashkëjetesës ishin kthyer në një tmerr dhe në një provë të padurueshme.

Ai kërkon të shesë çdo gjë për të pirë alkool, tha gruaja që nënvizon sipas burimeve të policisë së Kamzës se dhuna psikologjike ishte më e zakonshmja në shtëpinë e tyre.

Për t’u bindur se kush tregonte të vërtetën, policia ka intervistuar të miturit.

Djali i vogël kujton se i ati e bënte shpesh këtë gjë duke e sharë mamanë e tyre dhe duke pështyrë.

 “Ai nuk donte t’ia hapte derën dhe ne na zuri frika. Kur mami ju lut e hapi derën, pastaj i kërkoi që të bënte rrobat e të ikte. I mori telefonin dhe mami pa bërë zë e njoftoi policinë me numrin e vëllait tjetër”. Fëmija u pyet nga policia se përse sillej babai i tyre në këtë mënyrë me mamanë.

"Babi njëherë i tha mamit që të kam dërguar për punë, jo të pish kafe me shoqet.

 Njëherë tjetër i tha: 'Nuk ka pse ta blesh bukën larg, blije afër.'"

Babi sa herë mërzitej me mamin i bërtiste merr rrobat dhe ik, fëmijët janë të mitë.

 Fëmija tjetër ka konfirmuar çfarë ka thënë vëllai më i vogël duke shtuar se i ati nuk ngrinte dorë ndaj asnjërit prej tyre, me përjashtim të gruas.

“Ka qenë një rast kur pasi e rrahu mamin, ajo deshi të telefonojë policinë dhe ai e goditi me coka në kokë. Pastaj i tha që ata të dy kishin dhe një shans tjetër që mami mos ta njoftonte policinë dhe të na rrisnin bashkë. Por babi është nevrik dhe xheloz”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë