Politike

Azilkërkuesit, BE mund të kthejë vizat për disa vende të Ballkanit, Franca dhe Gjermania ankohen për Shqipërinë

Shqipëria është në pritje të një date për hapjen formale të negociatave të anëtarësimit me BE dhe zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare, por nga Brukseli jo vetëm që sinjalet pozitive në lidhje me këtë çështje mungojnë, por janë shtuar zërat për rikthim të vizave.

Sipas një dokumenti të brendshëm, që Presidenca sllovene u ka shpërndarë vendeve anëtare të Bashkimit Europian, Franca, Holanda dhe Danimarka kanë shprehur shqetësime për fluksin e emigrantëve të paligjshëm dhe kërkesave për azil të pabazuara nga Shqipëria.

Përmbajtja e dokumentit ka rrjedhur në media, ndërsa Presidenca sllovene as e ka mohuar, por as e ka pohuar ekzistencën e tij. Sipas këtij dokumenti, vendet anëtare përmendin shembuj të shumtë abuzimi me lëvizjen e lirë dhe kërkesave të pabazuara për azil që mbërrijnë kryesisht nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Ukraina e Gjeorgjia. 

Franca posaçërisht, thuhet në dokument, është ankuar për kërkesat e azilit të mbërritura nga Shqipëria.

“Ne ndajmë vlerësimin e Komisionit Europian se posaçërisht në rastin e Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, për të cilat liberalizimi i vizave ka shkaktuar një rritje të madhe të migrimit ilegal dhe kërkesave të pabazuara për azil në Francë”, citohen autoritetet franceze.

Sipas Radio Europa e Lirë, Franca ka shprehur shqetësim edhe për politikën e vizave të Serbisë për vendet e treta dhe ka kërkuar që të punohet me Beogradin, që të përshtatë politikat e tij me ato të BE-së.

Republika Çeke dhe Belgjika kanë shprehur shqetësim për rritjen e madhe të azilkërkuesve nga Maqedonia e Veriut dhe Moldavia. Ndërkaq, Austria ka shprehur shqetësim edhe për ardhjen e shtetasve të Bangladeshit në vendet e Ballkanit Perëndimor të cilët më pas hyjnë në shtetet e BE-së.

Edhe Berlini ka shprehur shqetësime për shkeljen e rregullave në Gjermani nga shtetasit e huaj. Këto raste janë në rritje sidomos për qytetarët nga Shqipëria dhe Serbia, që kryesisht kanë të bëjnë me qëndrim në shtet më shumë se 90 ditë, aq sa është e lejuar sipas rregullave të liberalizimit të vizave.

Faksimile e dokumentit te brendshem

Gjermania madje ka kërkuar nga Komisioni Europian që të krijohet një mekanizëm që të mundësojë pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së lirë me vendet e treta që abuzojnë me këtë lëvizje.

Ligjërisht mekanizmat e pezullimit të tyre ekzistojnë, por kjo nuk ka ndodhur deri më tani. Në 2019, Holanda kërkoi zyrtarisht që ky mekanizëm të zbatohej për Shqipërinë me argumentimin e rritjes së grupeve kriminale shqiptare në BE. Kërkesa u rrëzua nga Komisioni.

Sipas mekanizmave që ka në fuqi BE-ja, vizat mund t’iu hiqen atyre shteteve nga të cilat ka rritje të emigrimit të paligjshëm, keqpërdorimit të së drejtës për qëndrim pa viza dhe të cilat nuk ndërmarrin masa për të adresuar këto probleme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë