Ana e errët

Avokatja greke e dashuruar me kapon shqiptar. Përgjimet: Plan për ta nxjerrë nga burgu

Mediat greke kanë publikuar përgjimet telefonike të një avokateje me një të burgosur shqiptar, që sipas tyre, drejton nga qelitë e burgut famëkeq të Koridhalosit, një grup mafioz të fuqishëm në Pire.

“Ta Nea” shkruan në edicionin e saj online se avokatja, një 45-vjeçare, së bashku me një koleg të sajin ishin caktuar për të mbrojtur në procesin gjyqësor në Gjykatën e Apelit të dënuarin shqiptar, emrin i të cilit nuk bëhet publik.

Shqiptari do të dilte në seancën e radhës në Gjykatën e Apelit, por duke dyshohet se duke shfrytëzuar lidhjen intime me avokaten e tij greke, po përgatiste një plan, jo vetëm për t’u arratisur nga qelia, por edhe për të ekzekutuar dy persona, dëshmitarë kyç në procesin në ngarkim të tij.

Por, gazeta “To Vima” citon një version tjetër të dhënë nga avokatja e shqiptarit të dyshuar si kreu i një grupi të fuqishëm mafioz në Greqi.

“Nuk bëhet fjalë për organizimin e një arratisjeje në Gjykatën e Apelit, por për të shkuar tek një dentist që ndodhet aty pranë. Ja kam thënë atij (shqiptarit) se arratisja as që mund të mendohet, as për shaka sepse është në një vend me masa të larta sigurie dhe s’ka nga të shkojë”, deklaron ajo.

Mediat greke pohojnë se një rol të rëndësishëm në këtë plan ka luajtur edhe ndihmësi i avokates, edhe ky një shtetas grek. Sipas artikujve të publikuara në to, mendohet se ndihmësi i avokates dikur ka qenë në shënjestër për t’u eleminuar nga grupi mafioz i drejtuar nga shqiptari i burgosur, por nuk zbardhen arsyet se çfarë i lidhi më vonë ata si bashkëpunëtorë të ngushtë.

Pjesë nga përgjimet e publikuara nga mediat greke:

Avokatja: Mirëmëngjes zemra ime!
Shqiptari: Mirëmëngjes!
Avokatja: Sa mirë që po të dëgjoj. A je gati, më në fund?
Shqiptari: Gati.
Avokatja: Të dua shumë dhe nuk dua të të humbas!
Shqiptari: Të të pyes për diçka. Çfarë ka pas asaj dhomës ku shkojmë e qëndrojmë ne?
Avokatja: Më në fund po e kupton. Falë Zotit! Pas teje ka një mur, nga ana e Gjykatës së Apelit e kam fjalën. Ka disa dhoma dhe më pas ecën drejt e në fund kthehesh majtas. Ka edhe disa dhoma të tjera dhe më pas mbërrin në krahët e mi.
Shqiptari: Jashtë…
Avokatja: Del për një sekondë. Do të gjesh një polic që do të të kontrollojë çantën, kaq.
Shqiptari: Edhe ti do të jesh atje?
Avokatja: Ti e di këtë, s’është nevoja që ta thuash. Edhe vetë policia njerëzit si ty i do të lirë. Unë jetoj për momentin kur do të jemi bashkë, kur do të jetojmë bashkë. Ty nuk do të të duhet as të punosh, do të punoj unë për ty. Je njeriu i jetës time dhe unë jetoj për momentet kur do të jemi bashkë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë