Ngjarje

Avokati i Popullit kërkon llogari, përse u dëbua Harun Çelik?

15 ditë nga largimi i turkut Harun Çelik, vjen edhe reagimi i parë nga një institucion shqiptar. Avokati i Popullit i ka dërguar përmes postës një kërkesë prokurorisë, në të cilën i kërkon informacion organit të akuzës për fatin e 42-vjeçarit. Sipas një burimi zyrtar pranë Avokatit të Popullit konfirmohet për gazetën “Si” se ky institucion shprehet i shqetësuar për Harun Çelik dhe kërkon t’i vendoset në dispozicion informacion për lëvizjet që kanë kryer autoritetet shqiptare, përfshi edhe prokurorinë. Çfarë ndodhi me shtetasin Harun Çelik, në çfarë statusi u dëbua ai dhe a iu mohua atij e drejta për azil politik, citon burimi detaje nga shkresa e përcjellë akuzës që është e detyruar të kthejë një përgjigje brenda 15 ditëve.

Burimi zyrtar i gazetës “Si” tregon se Avokati i Popullit i referohet edhe ankesës së avokatit mbrojtës Alban Bengasi përçuar nga mediat gjatë ditëve të para, si edhe pretendimi se Çelik i ishte mohuar e drejta e azilkërkimit dhe se ai ishte dëbuar në mënyrë ekstraproceduriale.

Pas largimit të Harun Çelik nga Shqipëria, duke u dorëzuar pranë autoriteteve të vendit të tij, për aq sa ishte i klasifikuar si gylenist, reagimin e parë e pati nga eurodeputetja Rebecca Harms dhe Ramona Strugariu, e cila kritikoi autoritetet për shkelje të konventës së KE-së.

Harun dhe Simsek

Harun Çelik, baba i katër fëmijëve është nga Ankaraja. Ai u kap në vendin tonë  verën e 2019-s në përpjekje për të lënë Shqipërinë me një vizë kanadeze të falsifikuar, ndërsa mbante në dorë një biletë udhëtimi të linjës Tiranë-Vjenë-Toronto. Ai u dënua me gjykim të shkurtuar me burgim për tetë muaj e 20 ditë, por që për shkak të llogaritjes së kohës kur u mbajt në paraburgim, dënimi i tij përfundonte ditën e parë të 2020-s. Vetë Harun pohoi gjatë hetimit se kishte paguar 2 mijë dollarë me shpresën se do të mbërrinte në Kanada, një vend të cilin e synonte po ashtu edhe Selami Simsek, një tjetër turk i arrestuar në të njëjtën ditë dhe që ende nuk është dënuar për akuzën që rëndon ndaj tij, atë të falsifikimit të dokumenteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë