Drejtësia

Avokatët e Sali Berishës depozitojnë në GJKKO kërkesën për përjashtimin nga hetimet të gjyqtares Irena Gjoka

Gazeta Si – Avokatët e ish-kryeministrit, Sali Berisha kanë depozituar në GJKKO kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, me pretendimin se ajo është në kushtet e papajtueshmërisë.

Sipas përfaqësuesve ligjorë të Berishës, Irena Gjoka është në kushtet e papajtueshmërisë për shkak të ekzistencës së një vendimi të Gjykatës Administrative të Athinës të vitit 2004, për ndalim të lëvizjes së magjistrates në zonën Shengen për 10 vite, vendim që nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit.

Në seancën e 14 majit avokatët ftuan gjyqtaren Gjoka të hiqte dorë nga gjykimi, duke i prezantuar vendimin e palës greke, si edhe një kopje të gazetës “Protothema”, ku ishte publikuar vendimi. Vetë gjyqtarja nuk u shpreh por i ktheu aktet avokatëve.

Ndërkohë seanca e radhës, ku gjyqtarja do të shprehet për revokimin e masave të sigurisë për Malltezin dhe Berishën, është caktuar në datën 21 maj. Nga ana e tyre, prokurorët e SPAK kanë kërkuar që të mos ndryshohet masa e sigurisë.

Ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet në “arrest shtëpie” prej 30 dhjetorit 2023, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme pas kërkesës së SPAK.

Berisha, nën hetim nga SPAK, akuzohet për korrupsion pasiv, i dyshuar se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv ‘Partizani”, mbi të cilin u ndërtuan më pas 19 kulla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë