Gazeta Si – A i ka shpëtuar Aeroporti i Lajpcigut një katastrofe edhe më të madhe sesa mendohej dje, pas zbulimit të një droni të pajisur me lëndë shpërthyese?
Sipas gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung”, avioni ukrainas i transportit të mallrave “Antonov” – i cili me gjasë ishte objektivi i dronit – ishte i ngarkuar me municion për Ukrainën.
Raportohet se avioni vinte nga Franca dhe kishte bërë një ndalesë në Lajpcig; ky informacion përmbahet në një raport konfidencial të policisë.
Aeroporti Lajpcig/Halle shërben si një nyje logjistike për ndihmën ushtarake dhe humanitare drejt Ukrainës.
Dje, aty ishin të parkuar katër avionë transporti “Antonov” dhe pikërisht pranë tyre, një punonjës vuri re një dron, të cilin më pas e rrëzoi.
Vetëm kur policia dhe shërbimet e sigurisë mbërritën në vendngjarje, u bë e qartë se droni mbante gjithashtu një paketë me 800 gramë lëndë shpërthyese të fuqishme, të llojit “Semtex”.
Megjithatë, mekanizmi ndezës ishte shkëputur nga lënda shpërthyese, çka do të thotë se droni nuk shpërtheu. Droni u neutralizua dhe u dërgua për hetime të mëtejshme; në këtë hetim është përfshirë edhe NATO-ja.
Pak kohë pas zbulimit të dronit, një avion tjetër – i cili po përpiqej të kryente një manovër rrethimi (për t’u rikthyer për ulje) mbi aeroport – u përplas në ajër me një objekt fluturues të panjohur. Avioni pësoi dëmtime të lehta, por arriti të ulej i sigurt në Hanover.
Ende nuk dihet zyrtarisht se kush qëndron pas këtyre incidenteve, ndonëse sipas ministrit gjerman Alexander Dobrindt, droni nuk ishte vepër e amatorëve.
Sipas raportimeve, droni i gjetur ishte projektuar për të anashkaluar masat më moderne të mbrojtjes kundër dronëve. Sipas Dobrindt-it, është e mundshme që për incidentin të jetë përgjegjës një shtet tjetër.
Ministri foli dje për një “skenar të ri kërcënimi” me natyrë hibride, duke iu referuar llojit të luftës moderne që zhvillohet njëkohësisht në fronte të shumta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje