Ngjarje

Avioni i parë me afganë lë Shqipërinë, 212 refugjatë nisen drejt SHBA

Avioni i parë me 212 refugjatë afganë që u strehuan përkohësisht në Shqipëri u nis mbrëmjen e së hënës me destinacion Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në përcjelljen e tyre morën pjesë Ambasadorja Yuri Kim dhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka.

“Shqipëria, siç e dini, ishte vendi i parë që u ngrit dhe tha: Ne do të ndihmojmë. Dyert tona janë të hapura. Ejani tek ne. Dhe ajo që kam mësuar në dy vitet e mia këtu në Shqipëri është se populli shqiptar e merr shumë seriozisht mundësinë, përgjegjësinë për t'i hapur derën një të huaji në nevojë dhe për t'ju bërë të ndiheni se jeni vërtet një mysafir. Këtu në Shqipëri ekziston një shprehje: “bukë, kripë dhe zemër të hapur”. Dhe ajo që kam ndjerë këtu është se, nëse shkoni tek një shqiptar në momentin tuaj më të vështirë, kur keni ftohtë, kur jeni të uritur, apo jeni të etur, një shqiptar do ta hapë derën gjerësisht dhe shqiptari do t'ju japë deri thërrimet e fundit të bukës, kokrrat e fundit të kripës dhe gjithçka që mbajnë në zemrën e tyre. Është çështje nderi”, deklaroi Ambasadorja Kim.

“Bashkë me 2 400 bashkëkombas të tjerë, ata i ikën luftës dhe për muaj të tërë u mikpritën në Shqipëri”, thotë ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka.

"Ky operacion na ka afruar edhe më shumë ne dhe miqtë tanë amerikanë, partnerët tanë amerikanë. Njerëz si Ambasadorja Yuri Kim, Keith dhe bashkëpunëtorët e tyre që kanë punuar pa u lodhur për të realizuar pikërisht këtë moment këtu. Ka qenë një nder për ne që të ndihmojmë partnerët tanë në kohën e tyre të nevojës dhe jam e sigurt se aleanca dhe miqësia jonë vetëm sa do të forcohet dhe ka hyrë në një fazë të re ose në një fazë të re për shkak të këtij operacioni", deklaroi ministrja Xhaçka.

Fluturimi i parë i afganëve drejt SHBA mbërrin pas kritikës së Kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit Shtetëror të Masaçusets tha se për afganët, SHBA kishte premtuar shumë, por realizuar pak.

“Kanadaja ka marrë një pjesë të madhe dhe SHBA po marrin, jo aq sa kanë premtuar, por një pjesë se e kanë çik zakon që premtojnë më shumë, por bëjnë më pak kur vjen puna te gjërat konkrete. Kur vjen puna te standardet dhe vlerat pastaj, aty na japin pa pushim gjatë të gjithë kohës…po ne i marrim me kënaqësi. Po qe puna për vlera, standarde e predikime nuk ka ditë e natë, i kemi këtu na japin me bujarinë më të madhe se çfarë duhet të bëni dhe kur vjen puna te këto gjërat konkrete japin, po çik më me kujdes se nuk kanë të shkretët. Nuk janë në pozitë që të japin shumë”, tha Rama.

E gjithë deklarata e Ramës u bë në prani të Ambasadores Yuri Kim, që e pyeti me shaka: Si e ke hallin?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë