Në përfundim të sezonit 2024 në motorsport, revista prestigjioze “Autosport” ka organizuar edicionin e çmimeve me të njëjtin emër që përkoi me 75 vjetorin e vetë revistës. Të ftuar të shumtë, pilotë, drejtues skuadrash dhe drejtues të disiplinave ndër vite ishin të pranishëm në Roundhouse në Camden, Londër. Legjendat dhe Leader-ët e momentit u mblodhën në të njëjtin vend me talentet e së ardhmes. Fituesit u selektuan nga një juri e përbërë prej Derek Warwick (ish pilot në F1), Jason Plato (dy herë kampion në “British Touring Car”) dhe Andy Priaulx (tre herë kampion në “World Touring Car”).

Pas fitores së titullit të 4 rradhazi Kampion Bote në Formula 1, Max Verstappen (Red Bull) u shpall Piloti më i Mirë për vitin 2024. I freskët pas fitores së 10 në Monaco, Sebastien Ogier (Toyota Gazoo Racing) u ngjit në skenë si Piloti më i Mirë në garat Rallye. Ndërsa nënkampioni i ri i Botës në Formula 1, Lando Norris (Mclaren) u shpall Piloti britanik më i Mirë në Botë.

Në kategorinë e dytë të çmimeve Autosport u përzgjodh Momenti i Vitit 2024 që shkoi për garën e zhvilluar nga Max Verstappen në fundjavën dramatike të Brazilit (ku holandezi hodhi një hap masiv drejt titullit të 4 rradhazi). Skuadra më e mirë e vitit u zgjodh Mclaren (që fitoi titullin kampion në Formula 1). Ndërsa nga e njëjta skuadër u zgjodh edhe Personazhi i Vitit 2024, Andrea Stella (Team Principal i Mclaren).

Nuk mund të liheshin pas të rinjtë dhe Piloti më i Mirë u shpall Deagen Fairclough (Hitech Pulse-Eight). Jake Hill (Laser Tools Racing) fitoi çmimin si Piloti më I Mirë britanik për garat që zhvillohen në ishull. Për karrierën e gjatë dhe zhvillimin që i dha Formula 1, Bernie Ecclestone u nderua me çmimin Honorifik të Autosport.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.