Ngjarje

Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin: Marrëveshja për rritjen e çmimit të patentave shtrembëron tregun

Nga Gazeta Si - Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të rrëzojë përfundimisht marrëveshjen për rritjen e dakordësuar të çmimeve të autoshkollave. Marrëveshja e nënshkruar midis Drejtorisë së Transportit Rrugor, Drejtorisë së Tatimeve dhe shoqatave të autoshkollave, përcaktonte vendosjen e një çmimi minimal prej 85 mijë lekësh për kursin e patentës.

Pasi e pezulloi fillimisht zbatimin e marrëveshjes, Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e të premtes, tha se ajo ka për objekt de facto dhe de jure caktimin e tarifës së pagesës dhe kostos referuese minimale fiskale për përgatitjen dhe pajisjen me leje drejtimi, sipas kategorisë së lejedrejtimit, dëshmisë ose certifikatës.

“Në përfundim të vlerësimit ligjor, u konstatua se Akt Marrëveshja lidhur ndërmjet grupeve të interesit përfaqësues të Autoshkollave, DPSHTRR-së dhe DPT-së, është një marrëveshje e ndaluar në vetvete për nga objekti, pasi me hyrjen në fuqi do të pengojë, kufizojë dhe shtrembërojë konkurrencën në treg. Si e tillë kjo Akt Marrëveshje, është e ndaluar”, shkruhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës.

Gjithashtu, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të monitorojë tregut e shërbimit të përgatitjes dhe pajisjes me leje drejtimi, sipas kategorisë së lejedrejtimit, dëshmisë ose certifikatës, për një periudhë 1 (një) vjeçare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë