Rafael Nadal e ka nisur në mënyrën më të mirë “Australia Open 2021”, duke mundur 6-3, 6-4 dhe 6-1 serbin Laslo Djere, i cili mban vendin e 56-të në renditjen botërore. Një provë bindëse për spanjollin, që ditët e fundit kishte pasur probleme me shpinën. Nadal tregoi një formë shumë të mirë dhe ambicie për të fituar një turne që i “shpëton” që prej vitit 2009, kur mundi në një finale epike Roxher Federerin.
Ndeshjen e parë të “Australian Open” Nadal e mbylli për 1 orë e 52 minuta. U duk më shumë si një stërvitje e mirë për tenistin spanjoll. Në turin e dytë do të ndeshet me fituesin e çiftit Viktor Troiçki-Mikael Moh.
Vazhdon momenti i artë për Rusinë, që kalon në turin e dytë me dy lojtarët e saj më të mirë, Medvedev dhe Rublev. Danil Medvedev, numri 4 në botë dhe fitues i edicionit të fundit londinez Masters, i la vetëm 8 gejme kanadezit Vasek Pospisil, duke e mundur 6-2, 6-2 dhe 6-4. Medvedev e mbylli ndeshjen për 1 orë e 47 minuta. Fitore bindëse arriti edhe Andrei Rublev, numri 8 në botë. Ai kaloi gjermanin Janik Hanfman 6-3, 6-3 dhe 6-4.
Një shëtitje ishte ndeshja e parë edhe për grekun Stefanos Tsitsipas, i cili dy vjet më parë shkëlqeu në këtë turne ndaj Federerit. Tsitsipas mundi 6-1, 6-2 dhe 6-1 Giles Simon, një rezultat që flet qartë për supermacinë e grekut në një ndeshje të mbyllur brenda 92 minutash.
Te femrat, një debutim i sikletshëm për kampioneshën e fundit, Sofia Kenin. Në “Rod Laver Arena” ai vuajti jo pak për të mundur 7-5 dhe 6-4 australianen Madison Inglis, numri 130 në renditjen botërore. “Isha shumë nervoze, - tha Kenin pas ndeshjes. – E dija që do kisha emocione në fushën ku fitova vitin e kaluar”. Në turin e dytë Kenin do ndeshet me estonezen Kaia Kanepi, që kaloi 6-3 dhe 6-1 letonezen Anastasija Sevastova.
Gjithçka e lehtë për australianen Ashleigh Barti, e cila mundi malazesen Danka Koviniç në dy sete nga 6-0. Elina Svitolinës iu deshën 2 orë për të kaluar çeken Marie Bouzkova, 6-3 dhe 7-6. Në turin e dytë tenistja ukrainase do ndeshet me Koko Gof. Ka kaluar turin edhe Garbin Muguruza, ndërkohë që ka dalë nga skena Viktoria Azarenka, që u mund 7-5 dhe 6-4 nga amerikania Xhesika Pegula.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.