Lojëra me Dore

Australian Open/ Nadal mund Kirgios mes spektaklit, gjen Thiem në çerekfinale

Faza e 1/8-ve të “Australian Open” është mbyllur me fitoren e Rafael Nadal ndaj Nik Kirgios, 6-3, 3-6, 7-6 dhe 7-6. Tenisti spanjoll ia ka dalë të fitojë një ndeshje spektakolare, që zgjati 3 orë e 42 minuta. Në çerekfinale, Nadal do të ndeshet me Dominik Thiem, i cili eliminoi Gael Monfils 6-2, 6-4 dhe 6-4. Kalojnë turin edhe Aleksander Zverev, tri herë nga 6-4 ndaj Andrei Rublev, si dhe Stan Vavrinka, që eliminoi në një ndeshje me 5 sete Danil Medvedev.

Ndeshja më interesante ishte ajo mes Rafa Nadal dhe Nik Kirgios, me këtë të fundit, idhullin e shtëpisë, që u prit me duartrokitje nga publiku, teksa doli në “Rod Laver Arena” me fanellën numër 8 të Lejkërsave, atë të Kobi Brajant. Fillimi ishte i mirë për Nadal, i cili shkoi në 3-1 gjatë setit të parë dhe më pas e fitoi lehtë atë, pasi Kirgios nuk arriti t’i përgjigjej. Historia ndryshoi në setin e dytë, me Kirgios që humbi vetëm 4 pikë nga 24.

Nik Kirgios dhe Rafael Nadal para ndeshjes. Gazeta Si, 27 janar 2020

Në setin e tretë nuk gabon askush dhe pas gejmit të tetë kemi të bëjmë me goditje të një niveli të lartë për nga cilësia, fuqia dhe precizioni. Nadal shpëton 4 herë nga “bombardimet” e kundërshtarit. Rezultati shkon në 5-5, më pas të dy bëjnë nga një faull të dyfishtë. Australiani bën më shumë gabime dhe humb setin. Edhe seti i katërt është i njëjtë, me Nadalin përpara, por Kirgios rikuperon dhe e çon rezultatin në 5-5. Përsëri “tie-break” dhe Kirgios nuk del dot nga natyra e tij, teksa tenton një top të shkurtër të pashpjegueshëm që mbetet në rrjetë. Përfundimisht, Nadal fiton 6-3, 3-6, 7-6 dhe 7-6.

Te femrat, Simona Halep ka mundur në dy sete 6-4 belgen Elise Mertens. Rumunja është e vetmja teniste e pjesës së poshtme të 10-shes që kualifikohet në çerekfinale, ku do të ndeshet me Anet Kontaveit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë