Danil Medvedev dhe Stefanos Tsitsipas janë kualifikuar për në fazën e 1/8-ve të Australian Open 2022. Numri 2 i tenisit botëror mundi holandezin Botik van de Zandshulp (numri 57) 6-4, 6-4 dhe 6-2, duke vazhduar kështu rrugëtimin në Slam-in e Meblurnit me objektivin për të shkuar në finale.
Medvedev e ‘çmontoi’ kundërshtarin në më pak se dy orë lojë. Holandezi u tregua shumë kurajoz, duke kërkuar pikë edhe me anë të gjuajtjeve të drejta, por mori ndëshkimin e tenistit rus. Edhe seti i dytë u vendos nga detajet, me van de Zandshulp që bën presion, por eksperienca e Medvedev bëri diferencën.

Në 1/8-at ka kaluar edhe greku Stefanos Tsitsipas, të cilit iu desh pak më shumë kohë për të mposhtur francezin Benua Paire 6-3, 7-5, 6-7 dhe 6-4. Ndeshja zgjati dy orë e 45 minuta. Tsitsipas e nisi fuqishëm, ndërsa francezi bëri shumë gabime.
Paire u thye me vështirësi në setin e dytë, fitoi të tretin, por vetëm kaq, pasi Tsitsipas ia doli të fitonte ndeshjen dhe në turin e katërt do të përballet me amerikanin Tejlor Fritz, që mundi pas 5 setesh me përmbysje spanjollin Roberto Bautista Agut, 6-0, 3-6, 3-6, 6-4 dhe 6-3.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.