Lojëra me Dore

Australian Open/ Denoncimi i Zverev: Nuk na bëjnë tamponë, askush s’na kontrollon

Ka dalë tenisti i parë pozitiv ndaj Covid-it në Australian Open dhe kolegët e tij kërkojnë më shumë kontrolle. Francezi Ugo Humbert ka thënë pas eliminimit se ka dalë pozitiv në tamponin e kryer para nisjes nga Australia dhe se tashmë është karantinuar.

Lajmi ka sjellë edhe protestat e protagonistëve kryesorë të turneut. "Nuk po na bëjnë teste”, - është denoncimi i Aleksander Zverev. Ai pohon se numri i infektimeve është në rritje në popullatë dhe për tenistët duhen më shumë kontrolle.

Zverev ne Melburn Park. Gazeta Si, 20 janar 2022

"Mund të dalim të hamë, të shëtisim në Melburn, të bëjmë çfarë të duam, - ka shpjeguar Zverev. – Nuk jemi më të kontrolluar dhe është e qartë se mund të infektohemi, sepse numri në Australi po rritet". Tenisti gjerman ka zgjedhur një lloj auto-karantine. "Kam evituar daljet, vetëm fushë dhe hotel. Jam këtu për të luajtur, nuk dua të rrezikohem", - ka shtuar Zverev.

Kush hyn në “Melbourne Park” mund të bëjë një test të shpejtë, ndërsa organizatorët e turneut kanë saktësuar se lojtarët duhet të testohen vetëm nëse kanë simptoma. Të gjithë lojtarët duhet të jenë të vaksinuar, ose të kenë një rekomandim. Pas mbërritjes në Australi ata i janë nënshtruar një cikli tamponësh molekularë deri në ditën e shtatë. Pjesa më e madhe e tyre janë në Melbourn prej më shumë se një jave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë