Avancojnë në turin e tretë të “Australian Open” emrat e mëdhenj të tenisit botëror. Novak Gjokoviç vuajti më shumë nga sa ishte parashikuar ndaj Tiafoe, por fitoi 6-3, 6-7, 7-6 dhe 6-3. Gjithçka e lehtë për Thiem, i cili kaloi Koepfer 6-4, 6-0 dhe 6-2. Janë kualifikuar edhe Zverev dhe Shvartzman. Te femrat, Halep vuajti ndaj Tomljanoviç, por u kualifikua, mirë Osaka, ndërsa Kvitova u surprizua nga Kirstea.
Pasi mundi Stefano Travalian në turin e parë, Frances Tiafoe ishte një “kockë e fortë” edhe për Novak Gjokoviç, numrin 1 në botë, që pati nevojë për setin e katërt që të lirohej nga amerikani. Në turin e tretë “Nole” do të përballet me një tjetër amerikan, Tailor Fritz.
Shumë më të thejshtë e pati Dominik Thiem, numri 3 në botë, që eliminoi Dominik Koepfer në 3 sete, duke fituar 6-4, 6-0 dhe 6-2. Një paraqitje të mirë ka bërë edhe Aleksander Zverev, i cili mundi Maksim Kresi 7-5, 6-4 dhe 6-3. Rezultati më i papritur ishte humbja e Stan Vavrinkas ndaj hungarezit Marton Fuksoviks, 7-5, 6-1, 2-6, 2-6 dhe 7-6. Diego Shvartzman mundi francezin Aleksandër Myler 6-2, 6-0 dhe 6-3.
Një ditë e ngjeshur dhe jo pa surpriza ishte për femrat në çimenton e Melburnit. Simona Halep, numri 2 në botë, rrezikoi shumë ndaj Alja Tomljanoviç, 70 pozicione prapa saj. Australiania fitoi setin e parë 6-4, më pas Halep reagoi dhe barazoi. Në setin e tretë, Tomljanoviç udhëhoqi deri në 5-2, por 29-vjeçarja rumune e përmbysi dhe fitoi setin 7-5.
Naomi Osaka mundi me lehtësi Karolin Garcian, 6-2 dhe 6-3. Tani do të ndeshet me Ons Jabeur, e cila mundi Ana Karolina Shmiedlovën 6-3 dhe 6-2. Pa probleme kaloi Serena Uilliams, 6-3 dhe 6-0 ndaj Nina Stojanoviç. Surpriza e ditës ishte eliminimi i Petra Kvitovës, numri 9 në botë. Ajo i tha lamtumirë turneut, pasi u mund 6-4, 1-6 dhe 6-1 nga rumunia Sorana-Mihaela Kirstea, numri 68 në botë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.