Ngjarje

Audio shokuese e mjekut të Maradonës: Trashaluqi po vdes

Detaje të reja që shtojnë hijet e dyshimit mbi Leopoldo Luke dhe Agustina Kosaçov, neurokirurgun dhe psikiatren që po hetohen për vdekjen e Diego Armando Maradonës. Këtë herë, pas zbulimit të disa firmave të falsifikuara nga ekspertiza kaligrafike, janë gjetur ekstraktet e disa bisedave dhe mesazheve mes doktor Lukes dhe bashkëpunëtorëve dhe kolegëve në ato orë të 25 nëntorit, kur u shua “Pibe de Oro”.

Fjalët dhe toni i përdorur nga doktor Luke duken gati surreale. Specialisti që po kujdesej për Maradonën, më shumë duket i shqetësuar për reagimin e mundshëm të familjarëve të tij dhe i kërkon Kosaçov ta informojë se çfarë do të bëjnë ata.

Diego Armando Maradona. Gazeta Si, 1 shkurt 2021

Audio dhe mesazhet që inkriminojnë doktorin dhe psikiatren janë shpërndarë nga “Infobae”, që saktëson se materiali bën pjesë te provat e hetimeve. “Rri e qetë Agustina, kemi bërë gjithçka që kishim mundësi. Familja ishte në brendësi të situatës, e dinte që bëhet fjalë për një pacient të vështirë. E vetmja gjë që të kërkoj është që të më lajmërosh, nëse do të inatosen dhe të më thuash se çfarë lëvizjesh do të bëjnë”, - i drejtohet doktor Luke psikiatres, pasi Maradona ndërroi jetë.

Pasi mbyll bisedën me Kosaçov, Luke i përgjigjet një kolegu, i cili sapo kishte mësuar lajmin nga televizori. “Trashaluqi po vdes” (El gordo se va a cagar muriendo), - përgjigjet Luke me një ton të çuditshëm, ndërsa më pas e sqaron: “Duket se ka pasur një atak kardiorespirator, po shkoj atje”. Pas zbulimit të këtij materiali, sipas medieve argjentinase, Luke dhe Kosaçov pritet të merren në pyetje këto ditë.

E para që ka reaguar publikisht, pas shpërndarjes së audios, ka qenë Dalma Maradona. Vajza e madhe e argjentinasit ka shkruar në Tuiter se kishte vjellë, kur kishte dëgjuar audion. Ajo ka akuzuar hapur edhe Matias Morlan, avokatin e Maradonës në periudhën e fundit, pasi ishte pikërisht ai që kishte zgjedhur Luken që të kujdesej për shëndetin e babait të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë