Pasuritë e zyrtarëve, tashmë online
Deklaratat e pasurisë së 3 mijë zyrtarëve do të jenë të aksesueshme online. Sot pranë Inspektoratit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë u bë publik projekti i financuar nga Bashkimi Europian dhe USAID, i cili do të mundësojnë plotësimin dhe kontrollin online të deklaratave të pasurisë së zyrtarëve të shtetit shqiptar.
Ambasadori i BE, Luixhi Soreka, në prezantimin e këtij projekti u shpreh se “Lufta kundër korrupsionit kërkon një vullnet politik dhe është i një rëndësie thelbësore për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit”.
Palmer e nis me Ramën, e mbyll me gazetarët
Matthew Palmer mbërrin këtë të hënë në Shqipëri në një vizitë që nga Ambasada Amerikane thanë për Gazetën “Si” se ishte pjesë e një turi ballkanik dhe pa lidhje me krizën politike në Tiranë. Por, agjenda e zv.ndihmës Sekretarit të Zyrës për Çështjet Europiane dhe Euroazisë në Tiranë nënkupton të kundërtën. Me të zbritur në Shqipëri, takimin e parë zyrtar Palmer do ta ketë me Kryeministrin Edi Rama, pas orës 15:00. Të martën, zyrtari amerikan e nis ditën me një takim rreth mesditës me Lulzim Bashën, për të vazhduar më vonë me Monika Kryemadhin dhe mbyllur turin e takimeve me politikën me presidentin Ilir Meta. Në fund, ai do të zhvillojë një takim me gazetarë, ku pritet që të jepen më shumë detaje në lidhje me objektivin dhe rezultatet e vizitës, nëse ajo synon zgjidhjen e krizës politike në vend.
Basha me Kryesinë: Sondazhet na nxjerrin shumicë
Lulzim Basha mendon se situata është kthyer e gjitha në favor të Partisë Demokratike dhe opozitës, ndaj kërkon që në protestën e 13 prillit, e treta protestë kombëtare e thirrur prej tij dhe drejtuesve të tjerë të partive opozitare, të sigurohet një pjesëmarrje akoma më e madhe. “De facto ne jemi shumicë. Pas djegies së mandateve, Partia Demokratike ka një rritje të menjëhershme edhe mes të pavendosurve. Jemi shumicë absolute në çdo sondazh të pavarur vendës dhe të huaj”, ka deklaruar Basha. Sa u takon kërkesave, Basha konfirmoi kushtin e largimit të Ramës dhe ngritjes së një qeverie tranzitore që do të çojë vendin në zgjedhje të reja.
Bulevardi i Ri, banorët e Bregut të Lumit konfrontohen me policinë
Banorë të Bregut të Lumit, banesat e të cilëve janë parashikuar të prishen për zgjatimin e Bulevardit të Ri, kanë dalë sot në protestë. Ata janë përplasur me policinë me gurë e lopata, duke kundërshtuar prishjen e banesave të tyre.
Banorët shprehen se nuk janë kundër projektit, por kërkojnë kompensimin për pronat që do t’u shemben. Protestës së banorëve u janë bashkuar edhe ish-deputetët demokratë, Jorida Tabaku dhe Klevis Balliu.
Rama: Vendet e punës në administratë janë për ekselentët
Kryeministri Edi Rama në një takim me studentët tha se “Programi Kombëtar i Praktikave të Punës” në kuadër të “Paktit për Universitetin” është një mundësi shumë e mirë për të rinjtë, pasi ka si qëllim përfitimin e një përvoje kualifikuese për zhvillimin e mëtejshëm të aftësive profesionale, akademike dhe personale.
Ai sërish theksoi se qeveria ka krijuar një marrëdhënie tjetër me universitetin dhe punësimi i studentëve ekselentë do të jetë prioritet parësor i ekzekutivit. Sipas Ramës, ata do të punësohen pa konkurrim për një vit dhe më pas do t’i nënshtrohen konkurrimit për ta mbajtur vendin e punës.
Digjet banesa në Pukë, çifti humb jetën
Një shtëpi është djegur në fshatin Breg të Pukës, duke i marrë jetën çiftit të bashkëshortëve Petrit dhe Dava Ndoj, 40 dhe 35 vjeç.
Ndërsa katër fëmijët e tyre, të moshës 15 , 13 , 12 e 11 vjeç ndodhen në Spitalin e Pukës me dëmtime të lehta. Ata kanë mundur që t’i shpëtojnë vdekjes sepse janë hedhur nga dritarja. Dyshohet se zjarri ka rënë për shkak të një shkëndije elektrike. Mësohet se alarmin për zjarrin e ka dhënë i zoti shtëpisë, Pal Gjoni, 82 vjeç, i cili kishte dëgjuar zhurmën e tjegullave.
Industria e mishit dhe fruta-perimeve javën e ardhshme në protestë
Përfaqësues të thertoreve të mishit tregojnë se ulja e masës së rimbursimit të TVSH-së për fermerët po rrit çdo ditë e më shumë informalitetin në sektorin e mishit, duke ulur kështu sigurinë ushqimore. Thertoret prej 20 ditësh nuk blejnë më mish vendi nga fermerët. Ata thonë se në muajt janar dhe shkurt kanë dalë me 9% humbje. Duke nisur nga muaji mars kanë nisur të vendosin kontaktet me furnitorë të importit.
Gjithashtu edhe përfaqësues nga biznesi i fruta-perimeve thonë se nuk do t’i ndalin protestat, pasi në gjysmën e dytë të prillit kur intensifikohet prodhimi vendës, do të nisin efektet e uljes së rimbursimit të TVSH-së.
Moska pas lajmeve për hapjen e kufijve të Greqisë?
Qindra refugjatë po përpiqen të largohen nga kampet greke drejt Maqedonisë së Veriut, pas një “lajmi të rremë” për hapjen e kufijve. Athina zyrtare thotë se “dezinformimi” përmes mediave sociale mund të jetë përhapur nga trafikantë dhe grupe me interesa “të çuditshme”.
Por duke parë natyrën e raporteve, por edhe përhapjen masive në rrjetet sociale brenda një kohe mjaft të shkurtër, nuk kanë qenë të paktë ata që e kanë drejtuar gishtin nga Rusia.
Lajmet e rreme për hapjen e kufijve erdhën vetëm disa ditë pasi ambasadori amerikan në Greqi ngriti alarmin se Rusia po përgatiste një tjetër fushatë dezinformimi kundër Greqisë.
Turqia, drejt ndërtimit të centralit të parë bërthamor
Turqia duket se është drejt përfundimit të ndërtimit të centralit të saj të parë bërthamor.
Kompani ruse që ka marrë përsipër ndërtimin e projektit gjigant ka njoftuar të hënën se 70% e punës për ndërtimin e centralit ka përfunduar. Projekti, i cili po merr jete në Akkuyu të Turqisë është duke u ndërtuar nga një kompanisë “Rosatom”. Sipas zyrtarëve turq, ndërtimi i tij pritet të përfundojë në fund të këtij viti.
Elvis Kabashi: Jam me gjak shqiptar, dua Kombëtaren
Futbollisti shqiptar, Elvis Kabashi që dikur refuzoi të luante për Kombëtaren, duket se është penduar. Në një intervistë për Gazeta SI, Kabashi ka pohuar se ai nuk e ka shkruar atë letër, duke fajësuar ish-agjentin e tij me të cilin është në një proces gjyqësor. Mesfushori 25-vjeçar ka rrëfyer më tej në intervistën e tij, se po punon që një ditë të rikthehet në Kombëtaren e Shqipërisë, pasi është ekipi i origjinës së tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.