Podcast

Audio-Lajme shkurt 9 Prill 2019

Palmer: Nuk jam këtu për krizën! Qeveria është legjitime, opozita të hyjë në zgjedhje

Zv.ndihmës Sekretari i Shtetit në Zyrën për Europën dhe Euroazinë, Matthew Palmer deklaroi katër ditë para protestës së radhës kombëtare të thirrur nga Lulzim Basha dhe aleatët e tij se qeveria ishte legjitime, e rrjedhimisht për SHBA zgjedhjet e 2017-ës ishin të lira e të ndershme.

Palmer tha se nuk kishte ardhur në Tiranë me një formulë për të zgjidhur krizën politike shqiptare, madje as që ishte synim i vizitës së tij. Thirrja e vetme e tij për opozitën ishte hyrja në zgjedhje.

Zyrtari amerikan tha se Shqipëria është një objektiv mjaft i vështirë për Rusinë. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara kanë rishprehur mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi. Palmer thotë se do të pranohet çdo pakt që bien dakord palët, por kërkoi që çështja e kufijve të mos jetë as thelbi i këtij pakti.

KQZ jep mandatet e 2 deputetëve

Halil Jakimi dhe Arlind Çaçani do të jenë dy deputetët më të rinj të Parlamentit. KQZ dha sot vendimin për dhënien e mandateve për deputetët e rinj që janë pjesë listës së Partisë Demokratike për qarqet Dibër dhe Korçë. KQZ, pas refuzimit të opozitës, miratoi emrat e komisionerëve të KZAZ-ve, duke propozuar anëtarë civilë, jo politikë.

Komisar Artan Cuku shpallet “Dëshmor i Atdheut”

Komisar Artan Cuku, i vrarë në vitin 2017, u shpall “Dëshmor i Atdheut”. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në fjalën e tij tha se komisar Cuku u vra nga një atentat i pabesë prej një dore kriminale. Ndër të tjera, ministri tha se nga numri i madh i të vrarëve në radhët e Policisë së Shtetit duhet të jetë një thirrje për reflektim për gjithë shoqërinë dhe klasën politike.

Qëlloi me armë, arrestohet vëllai i ish-deputetit të PS-së

Altin Isaraj, vëllai i ish-Drejtorit të Transportit Rrugor, Arben Isaraj, është vënë ditën sot sërish në pranga. 48-vjeçari, i cili ndodhej në arrest shtëpie, këtë herë është prangosur për armëmbajtje pa leje.

Siç bën me dije Policia e Tiranës, Isaraj u ndalua pas një telefonate nga qytetarët, të cilët raportuan se në rrugën e Rezervave të Shtetit ishte qëlluar në ajër me armë zjarri nga një makinë.

Shkarkohet kreu i Prokurorisë në Sarandë, kërcënon KPK-në

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra kreun e Prokurorisë në Sarandë, Edison Ademi.

KPK ngriti dyshime për pasurinë e drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës, si dhe e akuzoi për deklarim të rremë, në lidhje me njohjen e dy personave me precedentë penal.

Ndërkohë në përfundim të seancës së sotme, prokurori Ademi ka replikuar me trupin gjykues të përbërë nga Genta Tafa Bungo, Lulzim Hamitaj dhe Fildes Shuli. “Do të përballeni me mua, kjo punë nuk mbaron këtu. Mbajeni mend po nuk iu çova në burg”, mësohet të jetë shprehur Ademi.

Shkarkohet kreu i Apelit për Krime të Rënda, s’justifikon pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra kreun e Apelit të Krimeve të Rënda, Fehmi Petku. Komisioni ka gjetur shkelje në deklaratat e pasurisë, e cila nuk justifikohej, pasi gjyqtari nuk kishte burime të ligjshme financiare. Komisioni ngriti dyshime për fshehje, deklarim të rremë dhe mosmbulim me të ardhura të ligjshme të pasurisë së tij. I papërshtatshëm për të vijuar detyrën, gjyqtari u konsiderua edhe nga Drejtoria e Sigurimi të Informacionit të Klasifikuar.

Bulevardi i Ri, banorët e Bregut të Lumit konfrontohen me policinë

Forca të shumta policore dhe fadroma kanë shkuar që herët te Bregu i Lumit për të prishur banesat që janë parashikuar të rrafshohen për zgjatimin e Bulevardit të Ri. Policia ka larguar nga banesat e tyre të gjithë qytetarët, gjithashtu edhe ish-deputetët e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, Klevis Balliu dhe Aldo Bumçi, të cilët u ishin bashkuar banorëve.

6 prej banorëve janë ndaluar nga Policia, pasi kanë kundërshtuar me forcë uniformat blu. Ndërkohë, si pasojë e konfrontimeve, 3 qytetarë kanë marrë lëndime në trup dhe janë dërguar në Spitalin e Traumës. Po ashtu, Partia Demokratike ka akuzuar policinë se ka përdorur gaz lotsjellës për të larguar banorët nga shtëpitë e tyre.

I konsideroi shqiptarët terroristë, Haradinaj shkarkon ministrin serb

Kryeministri Ramush Haradinaj ka shkarkuar sot nga puna ministrin serb të Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviç, pasi i konsideroi shqiptarët terroristë. Haradinaj deklaroi se gjuha që ka përdorur ministri është e papranueshme dhe se në qeverinë e tij nuk do të tolerohet asnjë lloj fyerje ndaj qytetarëve të Kosovës. Vendimi erdhi pasi ministri serb nuk ka ngurruar t’i quajë shqiptarët terroristë dhe masakrën e Reçakut të trilluar.  Ky është rasti i dytë që një anëtar i kabinetit të Haradinajt bën deklarata të tilla.

Rita Ora vjen në Kosovë me një mision të veçantë

Një nga yjet e skenave të muzikës botërore, Rita Ora, ka mbërritur në Prishtinë mbrëmjen e djeshme me një mision të veçantë. Ajo rikthehet në Kosovë për disa akte bamirësie me Fondin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF). Rita ka treguar se në ditët e ardhshme do të punojë nga afër me UNICEF dhe do të shohë se sa e rëndësishme është puna e tyre dhe impaktin që kanë te fëmijët.

Rita së bashku me drejtorin e dizajnit global të “Escada”, Niall Sloan kanë krijuar një linjë të veçantë të çantave dhe për çdo çantë të shitur 15 euro do të shkojnë pikërisht për gratë viktima të dhunës në vendlindjen e saj.

Bejzade analizon Superligën: Ka rënë niveli i kampionatit

Një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit shqiptar në 25 vitet e fundit, Skerdi Bejzade, në një intervistë për Gazeta “Si”, ka analizuar gjendjen e Superligës shqiptare këtë sezon. Për çështjen e titullit kampion, Bejzade është shumë i qartë se Partizanit nuk mund t’ia marrë kush titullin nga dora edhe pse e cilëson këtë kampionat më të dobët se vitet e shkuara. Sakaq për Kombëtaren, ish-sulmuesi elbasanas shprehet skeptik, duke thënë se me këtë grup aktual nuk duhet të pretendojmë më shumë se vendi i katërt në grup. Për 44-vjeçarin puna e trajnerit në Shqipëri është shumë e vështirë për shkak të ndërhyrjeve dhe presioneve nga njerëz të jashtëm.

Gega: Në Shqipëri paragjykohet gjithçka, Partizani respekton veten

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, në një konferencë shtypi bashkë me mesfushorin Esat Mala, ka theksuar mes të tjerash se nuk i intereson aspak opinioni i të tjerëve për skuadrën e tij. Sipas tij, në Shqipëri paragjykohet gjithçka, madje edhe kampionatet e huaja. Gega ka premtuar se skuadra do të reagojë ndaj Skënderbeut pas asaj humbjeje të papritur me Luftëtarin, duke korrigjuar gabimet që u bënë në atë ndeshje.

Rikthehet Champions, prova të vështira për ekipet angleze

Pas një pushimi të gjatë rikthehet në fazën çerekfinale kompeticioni më i madh i futbollit europian, Liga e Kampionëve. Mbrëmjen e kësaj të marte zbresin në fushë ekipe me traditë dhe pretendent për t’i shkuar garës deri në fund. Liverpuli do të presë në shtëpi “Anfield”, portugezët e Porto në një sfidë shumë delikate. Për të mos t’u humbur është edhe derbi anglez mes Totenhamit dhe Mançester Sitit në Londër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë