Podcast

Audio-Lajme shkurt 29 mars

DASH: Shqipëria, burim e portë kryesore e drogës për BE

Departamenti Amerikan i Shtetit i dorëzoi të enjten Kongresit raportin vjetor për strategjinë e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve.Në pjesën për Shqipërinë, DASH thotë se ky vend është njëkohësisht burim i kanabisit dhe, gjithnjë e më shumë, një vend tranzit për kokainën dhe heroinën.

Raporti thekson se në vendin tonë kanë gjetur një mjedis të përshtatshëm krimi i organizuar, që shfrytëzon shkallën e lartë të papunësisë, korrupsionin shtetëror dhe institucionet e dobëta qeveritare e të drejtësisë për të drejtuar nga këtu operacionet e tyre të jashtëligjshme. Një faktor që ka ndikuar në marrjen e statusit si bazë e krimit të organizuar, sipas DASH, është lehtësia me të cilën pastrohen paratë e drogës dhe aktiviteteve të tjera kriminale në Shqipëri.

Paradë ushtarake te “Nënë Tereza” për 10-vjetorin në NATO

Në sheshin “Nënë Tereza” u zhvillua ceremonia e 10-vjetorit të pranimit të Forcave të Armatosura në NATO nën kujdesin e Ministrisë së Mbrojtjes. Në ceremoni ishin të pranishëm Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama, të cilët për një ceremoni të tillë kanë lënë mënjanë konfliktet e brendshme politike dhe kanë shtrënguar duart. Gjatë fjalës së tij në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO kryeministri Edi Rama vuri në pah veprën e rëndësishme të bazës së NATO-s në Kuçovë. Ndërsa, kreu i Shtetit theksoi se anëtarësimi në NATO ishte një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e Shqipërisë dhe zotohet se do mbështesë çdo projekt për forcimin e Aleancës.

Basha: Media e kapur nga qeveria

Kryetari i Partisë Demokratike mori pjesë në tryezën “Liria e medias në funksion të mbrojtjes së demokracisë” dhe gjatë fjalës së tij tha se vendi ndodhet para një sfide jetike, përtej propagandës së fushatës dhe zgjedhjeve. Kryetari i Partisë Demokratike mendon se media tradicionale në vend e ka humbur misionin e saj dhe është shndërruar në një shtojcë përforcuese e propagandës së qeverisë, duke deformuar realitetin. Për këtë arsye, Basha thotë se shpesh është detyruar opozita që të kryejë hulumtimet që në një vend normal i takojnë medias.

Protesta-Procedohet edhe Gazmend Bardhi

Nga protesta e djeshme e opozitës, policia ka proceduar 28 persona të akuzuar për akte dhune. Sipas të dhënave zyrtare, Policia e Tiranës nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka arrestuar 7 shtetas, për veprime të dhunshme mbi institucionet kushtetuese, mbi Policinë dhe për shkatërrimin e pronës publike gjatë zhvillimit të protestës së opozitës nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Po ashtu janë proceduar në gjendje të lirë dhe 14 persona të tjerë, ndërsa 6 shtetas janë shpallur në kërkim. Gjithashtu, është proceduar penalisht Gazmend Bardhi, organizator i protestës së zhvilluar ditën e djeshme.

Grabitet pronari i një pike këmbimi valutor

Pronari i një pike këmbimi valutor në kryeqytet është grabitur nga dy persona mëngjesin e sotëm. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:45 në rrugën e “Barrikadave”. Mësohet se pronari i “Exchange”-it është grabitur duke dërguar në bankë një çantë me para. Pasi hasën në rezistencën e pronarit të “Exchange”-it, 50-vjeçari Agron Shima, autorët e kanë qëlluar me thikë në bark dhe me levë. Pasi e dhunuan, autorët i morën çantën, brenda së cilës mësohet se kishte 60 mijë dollarë. Njëri nga dy autorët është prangosur nga efektivët e policisë rrugore, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë