Novak Gjokoviç ka mundur Aleksander Zverev dhe është kualifikuar për në gjysmëfinale. Në Londër, numri 1 në botë ka mundur 2-0 gjermanin (6-3, 7-6), kurse në sfidën tjetër Medvedev është konfirmuar në formë të shkëlqyer, duke mundur edhe argjentinasin Diego Shvartzman 2-0 (6-3, 6-3).
Pas humbjes së shëmtuar me Danil Medvedev, Gjokoviç bëri një paraqitje krejt tjetër ndaj Zverev. Serbi e nisi mirë, duke përfituar edhe nga një dopio faull i gjermanit dhe fluturoi në 3-0. “Nole” u tregua i zoti në topat “break” të gejmit të shtatë dhe shkoi 5-2. Zverev nuk arriti të rikuperonte dhe në 33 minuta Gjokoviç fitoi setin e parë 6-3. Në të dytin gjermani i shtoi xhirot, duke e vënë në vështirësi serbin, i cili gjithsesi e mbylli 7-6, duke shkuar në gjysmëfinale, ku do të ndeshet me Dominik Thiem.
Edhe pse i kualifikuar për në gjysmëfinale, ku do të ndeshet me Rafael Nadal, Danil Medvedev kompletoi ecurinë e mirë të ndeshjeve në grupin “Tokyo 1970”, duke mundur pastër Diego Shvartzman në dy sete 6-3. Rusi e mbylli këtë fazë të parë me tri fitore dhe asnjë set të humbur. Medvedev kërkoi ta mbyllte sa më parë ndeshjen për të qenë sa më i çlodhur për impenjimin ndaj Nadalit. Ai e mposhti me lehtësi kundërshtarin, duke treguar një formë shumë të mirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.