Lojëra me Dore

Atletet e Michael Jordan shiten në ankand për 560.000 dollarë

Një palë atlete “Nike” të veshura nga legjenda e basketbollit, Michael Jordan në sezonin e tij të parë në NBA, janë shitur për një shumë rekord prej 560.000 dollarësh, gati katër herë sa vlerësimi fillestar. Atletet e autografuara Air Jordan 1s, të krijuar për Jordan në 1985, pritej të shiteshin midis 100,000 deri në 150,000 dollarë në ankandin që u mbyll të dielën .

E njohur për shitjen e gjërave luksoze dhe të shtrenjta, kompania “Sotheby”  e kreu me sukses këtë operacion online. Kjo kompani ka mbajtur një rekord të hershëm për atletet në ankand me 437.500 dollarë, të paguar për “Moon Shoe” të “Nike”, vitin e kaluar. Këpucët u shitën nga koleksionisti Jordan Geller, themelues i “Shoezeum”, muzeu i parë i atleteve në botë.

Ankandi përkoi me 35-vjetorin e markës Air Jordan dhe shfaqjen e dokumentarit 10-pjesësh The Last Dance”, një seri dokumentarësh prodhuar nga ESPN, përqendruar në karrierën e tij dhe se si “Chicago Bulls” e fitoi kampionatin e gjashtë në NBA. Dy episodet e fundit të shfaqjes u shfaqën të Dielën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë