Ana e errët

Atje ku nuk të shkon mendja- Ku i fshehin të burgosurit telefonat?

Telefon i fshehur në fundin e dyfishtë të një tenxhereje që është përshtatur për të mos rënë në sy nga kontrollori i burgut apo nga skaneri. Patatja është prerë, është  mbushur me një telefon dhe mandej është lyer. Fantazia e të burgosurve dhe të të afërmve të tyre ndonëse sfidon edhe shpikësit, gjithë kjo përpjekje ngec në pragun e burgjeve nga hyjnë të afërmit. Por ndonëse ushqimi bëhet copë-copë, pastiçoja thërrmohet, byreku copëtohet për të zbuluar se mos futen sende të ndaluara, ose lëngje me ngjyrë kthehen pas për të njëjtin qëllim, të tjerë ia dalin mbanë të kalojnë portën e një burgu dhe të përfundojnë te të dënuarit. Aparati celular është më i kërkuari veçanërisht në paraburgim dhe në burgje të sigurisë së lartë. Gjithë kjo kërkesë vjen jo më tepër nga dëshira për të folur me njerëzit jashtë mureve të larta, por për të kryer telefonata të pakontrolluara.

Burgjet janë përfshirë në një fushatë masash të forta për eliminimin e përdorimit të aparateve celularë nga të burgosurit dhe të paraburgosurit. Emra të njohur si Gazment Braka (Gaxhai), Admir Tafili, Shkëlzen Hasan Papa, Arbjon Aliko, Asmer Bilali janë konstatuar së fundmi me aparate celularë të fshehur në qeli në mënyra nga më të pabesueshmet.

Orë telefon që iu gjet Asmer Bilalit

“Ne kontrollojmë herë pas here qelitë, por dhe të dënuarit nuk rrinë duarlidhur. Ka ndodhur që kemi zhveshur edhe muret e një qelie, pasi ishim të bindur që njëri nga subjektet përdorte telefon. Ai madje shkruante edhe në “Facebook”. Kemi hyrë dhe jemi kthyer shumë herë në atë qeli dhe çdo herë dilnim duarbosh. Duhet të kemi parasysh që të dënuarit që jetojnë në një qeli kanë një bashkëveprim të çuditshëm me njëri-tjetrin dhe as që bëhet fjalë që të spiunojnë njëri-tjetrin. Në fund zbuluam se aparati i telefonit ishte përshtatur me pultin e televizorit dhe ne e kishim pasur para syve, por që nuk mund ta besoni, por asnjëri nga ne ndonëse e bëmë fije qelinë as na shkonte në mend se pulti ishte edhe telefon”, përshkruan një oficer i policisë së burgjeve për Gazetën “Si” përpjekjet e autoriteteve për të konstatuar telefonat në qeli, një sfidë kjo që ngjan se vazhdon të jetë një përplasje e pareshtur mes dy forcave.

Një zyrtar burgjesh tregon se teksa një i paraburgosur ishte në përgjim dhe ishin munduar disa herë të zbulonin se prej nga i kryente telefonatat personazhi VIP, në fund pas dhjetëra veprimeve blic, ku natyrisht disa muaj nuk kishte munguar as dështimi zbulimi ishte i habitshëm.

“Mbajtësja e shkumës së rrojës ishte mbushur me sfungjer, aty mes dy anëve të sfungjerit ishte telefoni. Disa herë kontrollohej shkuma e rrojës, por nuk bënte as zhurmë asgjë. Përkundrazi ishte përshtatur me aq mjeshtëri sa kurdoherë që policët e kalonin në dorë, duke e kontrolluar ajo ishte në gjendje të lëshonte shkumë. Por në fundin e mbajtëses, po ta shtypje me kujdes ajo hapej dhe pasi largoje copat e sfungjerit dilte telefoni”, tregon zyrtari i burgjeve për Gazeta “Si”.

Telefona të gjetur në burgje

Megjithatë, të burgosurit vazhdojnë të vrapojnë të kërkim të rrugëve të reja, sapo zbulohen me tentativën e radhës. Dikur pëllumbat dhe së fundmi edhe dronët, të cilët përpos hashashit transportojnë edhe aparate telefonash, të cilët në të paktën dy raste janë zbuluar nga policia e burgjeve.

Droni që u kap me telefon dhe drogë

Hetimi

Por që prej vitit 2016 për përdorimin e celularit në burg, Kodi Penal ka ashpërsuar sanksionet. Duke përfshirë edhe dënimin për efektivët në rast se ata kapen si bashkëpunëtorë të të dënuarve, edhe këta të fundit në rast se ju konstatohen telefona dënohen me burgim shtesë nga një vit deri në tre vjet burgim. Por ndonëse kanë kaluar tre vjet nga hyrja në fuqi e ndryshimeve në kodit, shumë pak të dënuar kanë marrë dënim shtesë, pasi siç tregon një jurist pranë burgut “është mjaft e vështirë të provosh se kujt i përkiste aparati në një qeli të përbashkët me disa të dënuar dhe ku asnjëri nuk tregon. Secili prej tyre mohon duke thënë që nuk dimë gjë”.

Policia duke ushtruar kontrolle

Telefoni në banjë

Fiks një rast i fshehjes së telefonit në banjë ka përfshirë prokurorinë në hetimet se kujt i përkiste telefoni. Fillimisht është marrë dëshmia e Vullnet Memës nga Fieri, i cili është kërkuar nga autoritetet e burgjeve si hidraulik për të zhbllokuar tualetin e dhomës numër 17 në Burgun 313. Teksa ishte duke punuar në prani edhe të policëve që asnjë moment nuk e lanë vetëm pasi kështu urdhërojnë rregullat e regjimit të brendshëm, në brendësi të cifonit, Mema gjeti një aparat Iphone 6.

Policia e burgjeve kërkoi menjëherë një ekspert kriminalist thotë një burim i Gazetës “Si” për të këqyrur vendngjarjen e për të bërë fotografitë.

Mema i tha policisë pas zbulimit të aparatit se “policia më ndihmoi që të largoja cifonin bashkë me një të dënuar tjetër që quhej Bajram Kora, i cili mesa mësova punonte në paraburgim. Pasi e hoqa WC-në nga vendi, i paraburgosuri futi dorën te cifoni dhe më tha që kishte kapur diçka plastike. Pasi u përpoqëm me pinca e nxorëm dhe pamë që ishte një aparat celulari”.

Telefona të bllokuar në burgje

I paraburgosuri Bajram Kora: “Edhe kur isha jashtë merresha ndonjëherë me zhbllokim banjash. Ju kisha thënë shefave që nëse kishin ndonjë problem të tillë të më thoshin, pasi përfitoja ndonjë paketë nga të burgosurit që kishin probleme me WC. Ne fillim për rastin që më pyesni shkoi i paraburgosuri David, i cili punon në lavanderi. Por nuk arriti ta zhbllokonte. I thashë thirr elektricistin dhe një palë pinca që të heqim cifonin nga vendi. Lirova vidat dhe futa dorën dhe pashë diçka që ngjante si kauçuk pastaj kur e tërhoqëm pamë që ishte telefon i dëmtuar”.

Janë pyetur për këtë qëllim të paraburgosurit që mbahen në këtë qeli.

Denis D: I paraburgosuri deklaron: “Kam 16 muaj që banoj te kjo dhomë. Kanë ardhur dhe ikur shumë të paraburgosur. Unë kam kërkuar zhbllokimin e tualetit të dhomës te specialisti i policisë, zoti Fatos Caushaj, pasi ky tualet bllokohej shpesh. Pasi bllokohej, ujërat dilnin deri në korridor, kjo ka ndodhur më shume se tri herë dhe para dhjetë ditësh ujërat dolën përsëri në dhomë deri në sektor. Kur erdhën punëtorët për zhbllokim unë qëndrova në krevat dhe nuk e mora vesh fare që ishte telefon, ata pasi e nxorën ia dhanë policit. Pyeta punëtorët dhe policin se çfarë ishte dhe ata më thanë që është kapak i prizave treshe. Më pas montuan WC-në dhe u larguan”.

I paraburgosuri tjetër i të njëjtës qeli Erigers M. shton:

“Kam katër muaj që banoj në këtë dhomë. Qysh kur jam akomoduar tualeti ka pasur bllokime të herëpashershme. Isha në ajrosje dhe kur erdha në dhomë, shokët e dhomës më thanë që u rregullua tualeti dhe se në të ishte gjetur diçka, por nuk ishin informuar nëse ishte telefon apo diçka tjetër”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë