Analize

Athina me sytë nga Shkupi/ A po synon Davkova të bëjë një ‘prapakthehu’ me Marrëveshjen e Prespës?

Nga Gazeta ‘Si’ - Ndonëse ishte komentuar prej ditësh për retorikën e saj nacionaliste, askush nuk priste që presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Davkova të rindizte menjëherë grindje të reja… për një konflikt të vjetër. Të paktën, jo me aq hov.

Nuk u desh shumë, veçse betimi i saj i parë si presidente, që Davkova e cila fitoi bindshëm zgjedhjet, të përforconte saora dilemat për një ashpërsim të mundshëm të marrëdhënieve ndëretnike në rajon.

Porse siç kishte lajmëruar gjatë fushatës, ajo zgjodhi t’i drejtohet vendit vetëm me emrin “Maqedonia”, duke ‘hedhur poshtë’ Marrëveshjen e Prespës të arritur me Greqinë në qershor të 2018-s për ndryshimin e emrit. Marrëveshje, që në fakt i dha fund një kontesti shumëvjeçar midis dy vendeve për emrin dhe zhbllokoi rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt NATO-s.

Ambasadorja greke Sophia Philippidou u largua nga salla në shenjë proteste. Ky fjalim e preku jo pak Greqinë e cila nga ana tjetër këto ditë ka qenë në një 'tis tensionesh' në rrafshin diplomatik.

Situata matanë kufirit nuk u ravijëzua fort mirë fillimisht me vizitën e Ramës në Athinë e cila u konsiderua provokuese dhe ndezi tensione të reja në marrëdhëniet greko-shqiptare. Njëherazi, sytë ishin hedhur edhe nga dialogu i nivelit politik që pritet mes kryeministrit grek Mitsotakis dhe presidentit turk Erdogan mbi mosmarrëveshjet që dy shtetet kanë patur.

Por fjalimi i Davkovës duket se i sfumoi jo pak dy ngjarjet e mësipërme politike dhe grindja për Marrëveshjen e Prespës kaloi në front të parë.

Qëndrimet e ashpra për fjalimin e Davkovës

Në gjithë çfarë tha gjatë betimit, ajo nuk foli për çështje që kanë të bëjnë me procesin e integrimit europian të vendit, i cili varet nga ndryshimet kushtetuese bazuar në një marrëveshje me Bullgarinë.

“Do punojmë për europianizimin e vendit sëbashku me shtete të tjera të Ballkanit”, tha Davkova e e cila nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës.

Davkova iu referua vendit vetëm me "Maqedonia"

Vërejtjet karshi saj qenë të shpejta.

Pas një deklarate për shtyp të Ministrisë së Jashtme Greke e cila theksonte se rruga europiane e Maqedonisë së Veriut varet nga zbatimi i plotë i Marëveshjes së Prespës, e ashpër me Davkovën u tregua edhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen në mesazhin që përcolli.

“Në mënyrë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme drejt anëtarësimit në BE, është me rëndësi të madhe që vendi të vazhdojë kursin e tij reformues dhe të respektojë plotësisht marrëveshjet e saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës”, tha ajo në një postim në platformën X.

Ndërkohë reagime pati edhe nga fronti bullgar. Presidenti Rumen Radev tha se Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim të vitit 2017, si dhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare të nënshkruara nga Republika e Maqedonisë së Veriut (RMV).

“Bullgaria vazhdimisht dhe qartë e ka shprehur qëndrimin e saj se marrëveshjet duhet të përmbushen”, theksoi Radev.

Fituesit e rinj të Maqedonisë së Veriut që nuk duan të heqin dorë nga emri i vjetër

Që VMRO-DPMNE-ja nuk e do Marrëveshjen e Prespës ka qenë e ditur ngahera. Kjo parti që deri dje ishte në opozitë, jo rrallë e ka konsideruar këtë marrëveshje si shembull brutal të realpolitikës, mosrespektim të ligjit kombëtar dhe vullnetit të popullit.

“Asnjë proces në histori nuk është njëkahësh”, deklaroi Davkova gjatë fushatës referuar ndryshimit të marrëveshjes, për të cilën ajo ka thënë se do lobojë.

Ndonëse fryma e euroskepticizmit në Maqedoni e ka patur burimin edhe para Marrëveshjes të Prespës, ardhja e saj në pushtet dhe diskursi i përdorur kanë rikthyer menjëherë polarizimin ngacmues që ka përdorur deri sot VMRO-ja për ringjalljen e nacionalizmit.

Pyetja në tryezat e diskutimeve diplomatike sakaq është ngritur: A dëshiron Davkova të bëjë 'prapakthehu' me Marrëveshjen e Prespës dhe a po rindizet konflikti i emrit me Greqinë?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë