Ngjarje

Atentati te ‘Don Bosko’, daja dhe vëllai i viktimës mohojnë konfliktet

Shënjestra e dyshuar e atentatit në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, Edmond Crroji, duket se nuk është shfaqur shumë bashkëpunues me policinë pas vrasjes së nipit të tij, Erjon Çela.

Dy ditë pas ngjarjes që tronditi kryeqytetin në një zoë mjaft të populluar, Crroji është marrë në pyetje nga policia së bashku me vëllain e viktimës, Blertim Çela, të cilët ndodheshin në lokal në momentin e sulmit me armë. Të dy ata kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me njeri dhe nuk kanë mohuar të kenë dijeni se cilët janë autorët.

Megjithatë, kjo deklaratë nuk i ka bindur hetuesit dhe ka dyshime se konflikti mes palëve ka nisur për shkak të pazareve të prishura të drogës.

Burime jo zyrtare, shprehen se 41-vjeçari Crroi ka pasur probleme me drejtësinë jashtë vendit i akuzuar për trafik narkotikësh.

Policia ka kontrolluar edhe automjetin e Crrojit dhe banesat e të plagosurve, por nuk janë gjetur sende të kundraligjshme që mund të vihen në funksion të hetimit. Po ashtu, policia ka kryer kontrolle edhe në varreza makinash brenda dhe jashtë Tiranës.

Policia e Tiranës ka kërkuar që të kontrollohen makina të ngjashme me atë të autorëve pasi ka dyshime se i kanë ndërruar targat dhe e kanë nxjerrë sërish në qarkullim për të humbur gjurmët.

Atentati ndodhi mbrëmjen e së martës, teksa Erion Çela ka qenë duke konsumuar një kafe në një lokal afër biznesit të tij.

Ai mbeti i vdekur nga breshëria e plumbave, ndërsa të plagosur mbetën daja  dhe vëllai i tij. Po ashtu u plagosën dhe dy të njohur me viktimën.

Të plagosurit janë: Arben Dani 46 vjeç, Blerim Çela 28 vjeç, vëllai i viktimës, Edmond Crroj , 41 vjeç daja i viktimës dhe Azbi Selimaj, 19 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë