Disa persona janë shoqëruar në komisariatin e policisë së Lezhës në lidhje me atentatin e një dite më parë në Balldren.
Mes të shoqëruarve ka persona nga fisi i Nikulajve, të cilët për shkak të hasmërisë mes dy fiseve Lekstakaj dhe Nikulaj, mbeten të dyshuarit kryesorë. Ndërkohë nga ana e policisë janë marrë në shqyrtim kamerat e sigurisë së bizneseve, megjithatë deri tani nuk ka asnjë informacion në lidhje me atentatorët.
Burime bëjnë me dije se në dëshminë paraprake vëllai i viktimës Bled Lekstakaj është shprehur se ai sapo ishte kthyer nga Tirana dhe ka qenë duke qëndruar në shtëpi me nënën e tij në momentin që Nikolini i kishte marrë makinën për të shkuar për të blerë diçka. Ai ka dëgjuar krismat e armës por nuk e ka besuar që mund të jetë vrarë i vëllai, më vonë është njoftuar mbi ngjarjen.
Drejtori i Policisë së Lezhës Alfred Elezi, ka dhënë më shumë detaje nga vrasja e shtetasit Nikolin Marku (Lekstakaj) në Balldre.
Në një deklaratë për mediat, Elezi ka thënë se dyshohet se është vrasje për gjakmarrje.
"Rreth orës 18:30 kemi marrë njoftim që në fshatin Balldre pranë një supermarket është vrarë me armë zjarri shtetasi Nikolin Marku (Lekstakaj). Nga shërbimet e policisë është vajtur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punohet për identifikimin dhe zbulimin e autorëve. Akoma jemi në hetim e sipër të rastit. Nuk kemi akoma dyshime, por dyshojmë gjakmarrje. Po sigurojmë të gjitha provat", tha Elezi.
Lekstakajt ishin në fokus të mediave përsëri 3 muaj më parë pas vrasjes së Ardjan Nikulajt, me të cilin ata ishin në hasmëri. Plotë 3 muaj më vonë, më 19 korrik u vra Nikolin Lekstakaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.