SPAK ka shpallur në kërkim Ramazan Rrajën, nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, si organizator në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.
Mëngjesin e kësaj të enjteje, SPAK, RENEA dhe oficerë të BKH kanë kryer kontrollin e disa banesave në zonën e Rinasit, Niklës dhe Krujës, me shpresë lokalizimin dhe më pas ndalimin e Ramazan Rrajës.
Ky personazh është shpallur në kërkim qysh prej datës 17 janar 2023, pasi Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e prokurorisë SPAK, për caktimin e masës së arrestit në burg ndaj Rrajës.
LEXO EDHE:
- Kontroll për makinat e blinduara, shoqërohet në polici Ramazan Rraja
- Në Shkafanë dhe Nikël, në gjurmët e atentatorëve të prokurorit Ndoja
SPAK pretendon se Ramazan Rraja, kushëriri i tij Redjan Rraja dhe persona të tjerë në qytetin e Durrësit, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në atentatin e datës 1 nëntor 2019 në zonën e Sukthit, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, dhe të plagosur rëndë Landi Muharremi “Rrumi i Shijakut” dhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja.
Mësohet e ky i fundit ka dëshmuar në nëntor 2021 në Gjykatën e Posaçme ndaj Redjan Rrajës dhe Arjon Halilajt.
Herën e fundit, Ramazan Rraja, u shpall në kërkim policor pas atentatit të ndodhur në 17 korrik 2022, në mbikalimin e Fushë- Krujës, ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.
Në atë kohë, Rraja ndodhej jashtë vendit. Rraja u shoqërua nga policia e Fushë-Krujës mesditen e 31 tetorit 2022, kur sapo ishte kthyer në Rinas nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Rraja dha deklarime në lidhje me hetimin e masakrës së 17 korrikut, duke dhënë pretendimet e tij dhe më tej është lënë i lirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.