Ngjarje

Atentati me tritol, Aleksandër Sadikaj mbante me vete një pistoletë në makinë

Gazeta Si - Në makinën me të cilën po udhëtonte 27-vjeçari Aleksandër Sadikaj, i cili humbi jetën një ditë më parë, ishte vendosur një sasi tritoli prej 150 gramë.

Pas verifikimeve në mjet, i riu, i cili me sa dukej i druhej një atentati, mbante me vete edhe një armë zjarri.

Sipas burimeve nga policia, arma është e llojit pistoletë dhe dyshohet se viktima e mbante në makinë për vetëmbrojtje, për shkak të ngjarjeve që kishte përjetuar në të kaluarën.

Pistoleta që i kanë gjetur, ka qenë në tokë jashtë makinës, e cila i ka rënë Sadikajt, pasi e ka pasur në brez. Pistoleta e gjetur ishte me krehër të dëmtuar për shkak të shpërthimit të tritolit.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se dyshimet e para janë për vrasës me pagesë, por gjithçka është në fazë fillestare hetimi.

Autorët janë kujdesur të mos lënë gjurmë. Po analizohen edhe kamerat e sigurisë në rrugë për të përcaktuar itinerarin e lëvizjes së makinës.

Tritoli ishte vendosur në pjesën e përparme të makinës, në anën e shoferit, çfarë ka rezultuar fatale për 27-vjeçarin.

Aleksandër Sadikaj ishte nisur drejt Memaliajt, por në aksin Sauk-TEG, makina me targa AB077PO me të cilën ai po lëvizte shpërtheu, si rrjedhojë e sasisë së tritolit.

Autorët janë treguar të kujdesshëm, kjo pasi kanë vendosur që të bëjnë shpërthimin e komanduar në një moment kur nuk ka pasur në rrugë asnjë makinë tjetër përreth Sadikajt, duke shmangur rrezikun që nga ai shpërthim të vritej një person i pafajshëm.

Nga shpërthimi, Sadikaj ka humbur 2 gjymtyrët e poshtëm, këmbët, por ia ka dalë që të dilte vetë nga makina i ndihmuar edhe nga kalimtarët.

I riu është dërguar me urgjencë në spital, por për fat të keq nuk ia ka dalë që t'i mbijetonte plagëve të marra.

Sadikaj ishte një njeri me precedent të theksuar kriminalë në fushën e vjedhjes, krimeve ndaj personit dhe narkotikëve.

Ai rezulton pronar i një resorti me pistë hipizmi, i njohur si “Sancho Farm Albania” në Memaliaj, vendi i origjinës së nënës. 3 vite më parë, në korrik të 2019, ishte i përfshirë në një tjetër ngjarje kriminale, ku ka tentuar që të vrasë me thikë 40-vjeçarin nga Vlora Berti Tahiraj, pranë Kanalit të Cukës në Sarandë.

Ndërkohë, rezultonte si autor i disa vjedhjeve apo kundërshtimeve të urdhrave të policisë. Përveç akuzave të tjera ndër vite, para 5-6 vitesh ai dyshohet se ka kryer një vrasje në Athinë për prishje pazaresh të drogës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë