Rend dhe Ligj

Atentati me dy të plagosur te ‘Don Bosko’, makina e autorëve dyshohet se erdhi nga Kosova

Gazeta Si- Automjeti tip “Golf 5”, i cili u përdor në atentatin me 2 të plagosur në një lokal në zonën e Don Boskos në Tiranë, dyshohet se ka ardhur në Shqipëri nga dogana e Morinës.

Sipas burimeve paraprake, mësohet se policia shqiptare i është drejtuar policisë kosovare me një letër-porosi, ku i kërkon informacion për përdoruesin e këtij mjeti, me qëllim rënien në gjurmët e atentatorëve.

Në pritje të një përgjigje nga autoritetet e Kosovës, dyshimet janë se makina mund të jetë shitur në Shqipëri te autorët për t’u përdorur për atentatin, por mund të jetë kaluar edhe vetë nga ata.

Dy të plagosurit në Spitalin e Traumës

Për këtë po punohet edhe me këqyrjen e pamjeve të kamerave kufitare për identifikimin e personave që e sollën, kjo, ndihmuar nga mungesa e kontrolleve fizike gjatë sezonit veror.

Targat që u përdorën në mjetin që u dogj më pas, i përkasin një makine në Valias, të cilat dyshohet se janë marrë brenda një garazhi. Policia po punojnë për të gjetur pronarin e saj, edhe pse ky i fundit nuk i ka denoncuar si të vjedhura.

Sa i përket itinerarit, nga këqyrja e pamjeve të kamerave të grupit hetimor, u zbulua se makina ka ardhur nga Kamza, te Liqeni i Paskuqanit, ka hyrë në afërsi të Bulevardit të Ri dhe është futur në zonën e ngjarjes.

Të njëjtin itinerar ndoqi edhe në kthim, derisa e dogjën makinën në Qerekë. Kjo zonë duket se është studiuar mirë më parë nga autorët, pasi nuk ka mbulim me kamera sigurie.

Nga atentati i së mërkurës së kaluar, mbetën të plagosur Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi. Dyshimet janë që shënjestër e kësaj ngjarje të ketë qenë Elezaj, edhe pse në dëshminë e tij, ai dhe 22-vjeçari Metushi kanë mohuar konflikte me persona të tjerë. Ata ndodhen në spital, nën kujdes intensiv, por jashtë rrezikut për jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë