Dosje

Atentati i dështuar në Elbasan, të dyshuarit mohojnë akuzat për armët dhe makinën

Gazeta Si - Dy të arrestuarit një ditë më parë në Elbasan, të dyshuar për atentatin e dështuar, kanë mohuar akuzat para grupit hetimor.

Sipas burimeve paraprake, Arben Spahiu, 53 vjeç dhe Arsen Preçi, 44 vjeç, janë marrë disa herë në pyetje për mjetin BMW X6 që u sekuestrua nga policia, brenda të cilit u gjetën 3 armë zjarri, si dhe për dokumentet e falsifikuara që i përkisnin Spahiut.

Ata kanë mbajtur qëndrim mohues përballë këtyre fakteve, ndërsa kanë kërkuar praninë e një avokati.

Spahiu, që është edhe kunati i Erjon Alibejt, sipas burimeve ka pohuar se nuk ka dijeni për mjetin dhe armët.

Ndërsa në lidhje me dokumentet e falsifikuara greke me foton e tij, ai ka thënë se mund të jenë bërë nga dikush që ka dashur t’i bëjë keq.

Makina raportohet se është vjedhur në Shkodër, policia e ka ndjekur deri në Nikël dhe aty u ka humbur.

Spahiu dhe Preçi u vunë në pranga nga policia pasi dyshohet se kishin organizuar kryerjen e një atentati ndaj një personazhi të njohur të botës së krimit në Elbasan.

Të dy rezultojnë me lidhje familjare dhe shoqërore me Erjon Alibejn, i cili ndodhet në burg si porositës i dy vrasjeve në Elbasan.

Sipas prokurorisë, Alibej në bashkëpunim me Xhulian Hoxhën dhe Euglen Halilin, ekzekutuan në dy atentate të zhvilluara brenda 1 jave në Elbasan, Ramazanin dhe Runajn për motive hakmarrje dhe duke vepruar si grup kriminal.

Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, Alibej kishte porositur dhe organizuar vrasjet  pas dyshimeve që ka pasur se dy viktimat ishin implikuar në vrasjen e vëllait të tij, Endrit Alibej, në vitin 2018 në Brdashesh, ku mbetën të vrarë edhe dy persona të tjerë të afërt të tij.

Referuar dosjes, në vrasjen e Emiljano Ramazanit, dy bashkëpunëtorët e Alibejt kanë pasur rolin e vëzhguesit duke raportuar për lëvizjet e tij, ndërsa vrasja është kryer nga një person tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë