Ka ndodhur

Atentat ndaj ish-deputetit, Pashk Ujka ndërron jetë

Ish-kreu i Komunës së Velipojës dhe ish-deputeti i Parlamentit shqiptar, Pashk Ujka ka rënë pre e një atentati mbrëmjen e kësaj të hëne, ku mbeti i plagosur rëndë.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Vasil Shanto”, pranë Lulishtes te Kisha Ortodokse në qytetin e Shkodrës, rreth orës 18:15.

Dyshimet e para janë se ndaj tij është qëlluar me armë më silenciator dhe autori ka shfrytëzuar mungesën e ndriçimit në këtë pjesë të qytetit. Në momentin që është qëlluaar, Pashk Ujka ndodhej i shoqëruar nga bashkëshortja dhe vëllai i tij, që janë marrë në pyetje nga grupi hetimor si dëshmitarë okularë të ngjarjes.

Viktima është dërguar në urgjencë në gjendje të rëndë në spitalin e Shkodrës, ku pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ka ndërruar jetë.

Deri më tani nuk ka një pistë konkrete, dhe nuk dihen as shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë, teksa kjo është hera e dytë që Pashk Ujkës i bëhet atentat.

Pashk Ujka ka mbajtur postin e deputetit të Partisë Demokristiane nga viti 2005 deri në 2009. Në zgjedhjet lokale 2011, Ujka kandidoi po nën siglën e PDK-së, por mbështetur nga PS-ja në zgjedhjet për komunën e Velipojës, që e drejtoi deri në vitin 2015, kur kjo komunë u shkri me Bashkinë e Shkodrës pas reformës territoriale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë