Dosje

Ata kishin kompani dhe punonin në shtet, skema e miliona lekëve që kalonin nga inceneratoret tek të afërmit e ish ministrit Koka

Gazeta Si - Të dhënat skandaloze të skemës se si miliona lekë dyshohet se kalonin përmes një skeme nga shoqëria e inceneratorit tek të afërmit e ish ministrit tregojnë gjithashtu tjetërsimin e shoqërive kërpudhë që u tjetërsua në duart e njerëzve që ndërkohë ishin të punësuar edhe në Kuvend.

Ekskluzivisht Gazeta “Si” mësoi nga SPAK detaje nga dosja sekrete si ajo e shitjes së aksioneve të shoqërisë Sili (që kishte kryer shitje tek kompania e Ilir Kokës ) aksione tek një person i punësuar pranë kuvendit. Ai quhet Agim Seferi të cilit administratori Silver Driza i shiti  aksione të shoqërisë në datë 28 qershor 2018. Por më tej në datë 5 shkurt 2020 i njëjti person emëron si administrator Drizën duke e autorizuar që të kryejë çdo veprim financiar si dhe të kishte tagra për të përfaqësuar shoqërinë.

Sipas kërkimeve të Spak, Agim Seferi sakaq ka qenë i punësuar pranë Kuvendit të Shqipërisë si specialist që mbulonte qarkun Durrës për deputetët e opozitës  për periudhën  28 qershor  2019 deri më datë 17 shtator 2021.

Njëherazi Agim Seferi konsiderohet si  njohje e ish ministrit Lefter Koka, ndërkohë që  ortaku i ‘ Sili’ , Silver Driza  rezulton të ketë qenë edhe i punësuar në autoritetin portual Durrës deri në muajin  shtator 2021. Spak bën me dije se administratorë dhe punonjës të kompanive ishin të punësuar me paga të ulëta  dhe se në një rast shoqëria tjetër po ashtu e përfshirë në këtë skemë ka lidhje shoqërore me djalin e ish ministrit.  ‘Bëhet fjalë për shoqërinë YPV  që kishte si punonjës  në  vitin 2016 ortakun dhe administratorin Yuri Ymeraj dhe më pas Endri Kolaci, Ervind Shehu. Por personat që kanë themeluar shoqëritë respektive Pivot 04, Sili dhe Y.P.V   janë personat që kanë lidhje shoqërore me shtetasin Arbi Koka, djali i Lefter Kokës”, deklaron në rrugë zyrtare Spak për gazetën “Si”.

Të punësuar nga data 21 mars  2014- deri më 29 korrik 2018  rezulton Arbër Denizi pranë shoqërisë hekurudha shqiptare  me detyrën magazinier dhe me një pagë 28 mijë lekë vijon më tej një burim hetimor pranë Spak.

Kurse Silver Driza  nga prilli 2014 deri më prill 2016  rezulton i punësuar në të njëjtën shoqëri  dhe me pagë mujore 20 mijë lekë. Roarbri  Jaupaj  që ka vepruar si përfaqësues i Y.P.v ka punuar pranë hekurudhës dhe sakaq rezulton punonjës në kantinën e Pijeve  ku Lefter Koka është aksioner. Lista sipas SPAK vijon me Tomir Haxhiraj që edhe ai ka vepruar si përfaqësues I ‘Y.P.V’  dhe që ka pasur pozicionin e anëtarit të këshilltarit mbikëqyrës në kantinën e ish ministrit.

Spak këmbëngul se lidhjet shoqërore me djalin e ish ministrit provohen edhe nga udhëtimet e përbashkëta , si ai i datës 28 nëntor 2018 kur Arbi Koka ka udhëtuar me automjet privat së bashku me Silvester Driza dhe më pas sërish një udhëtim i dytë i datës 2 tetor 2019”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë