Analize

Asociacioni (s)është kusht / Dritëhijet mbi themelimin e tij si ‘çelës’ për anëtarësimin e Kosovës në KiE

A po kushtëzohet anëtarësimi i Kosovës me Asociacionin dhe a do ta dërgojë kryeministri Albin Kurti draft-statutin në Kushtetuese?
Asociacioni (s)është kusht / Dritëhijet mbi themelimin e tij si ‘çelës’ për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Nga Megi Iskurti-Kur emisari gjerman Manuel Sarrazin u pyet përpara do ditësh nëse themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë kusht që Kosova të pranohet në Këshillin e Europës, përgjigja e tij ishte hezituese.

Porse deklaroi se Gjermania nuk pasqyron kriteret e Serbisë, Sarrazin e bëri të qartë se çështja e minoriteteve është shumë relevante dhe se Kosova e ka obligim formimin e Asociacionit.

Megjithatë, ai nuk është i vetmi që i mëshoi kësaj çështje e cila këto ditë po shpërfaq shumë dritëhije dhe është bërë temë diskutimi në qarqet diplomatike.

Zërat për ndërlidhjen e anëtarësimit të Kosovës në KiE me themelimin e Asociacionit, një thirrje e kamotshme e bashkësisë ndërkombëtare, janë shpeshtuar ndjeshëm.

Pas deklaratave së presidentit francez Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O'Brien të cilët ishin në një mendje për themelimin e Asociacionit, në tryezat e diskutimeve po shtrohet vetëm një pyetje: A po kushtëzohet anëtarësimi i Kosovës me Asociacionin dhe a do ta dërgojë kryeministri Albin Kurti draft-statutin në Kushtetuese?

Që themelimi i Asociacionit është kthyer në një kriter, e la të nënkuptohej edhe vetë Kurti i cili nga Berlini paralajmëroi më 26 prill se “çështjet e pazgjidhura” me komunitetin serb do të jenë prioriteti i tij.

Kurti nga Berlini paralajmëroi zgjidhje për Asociacionin

Njëjtë si ai, edhe njohës të zhvillimeve diplomatike deklarojnë se de-facto, neni 7 i propozimit europian në Marrëveshjen drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë është kthyer në një parakusht. Por çfarë përfshihet në fakt në raportin e Dora Bakoyannis (raportuesja për Kosovën në Asamble) dhe në mungesë të themelimit të Asociacionit a rrezikohet shtyrja e votimit?

Belgzim Kamberi, analisti nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokolari” në Prishtinë deklaron për Gazetasi.al se presioni perëndimor që po i bëhet Kosovës, nënkupton që Kurti duhet të dërgojë draft-statutin e propozuar nga shtetet e QUINT-it për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, si parakusht për votimin në favor të Kosovës.

Ai thotë se mbetet e paqartë nëse Kosova do ta ndërmarrë këtë hap tani dhe nëse mungesa e këtij veprimi do të bëhet shkak për bllokimin e anëtarësimit të Kosovës.

"Presioni perëndimor nënkupton që Kurti duhet të dërgojë draft-statutin në Kushtetuese", citon Kamberi

Mos-dërgimi i draftit në Kushtetuese sjell izolim gjeopolitik për Kosovën

Një vendim i mundshëm i qeverisë së Kosovës për mos-dërgimin e draft-statutit në Kushtetuese, për analistin Artan Muhaxhiri do të sillte pasoja tektonike për Kosovën.

“Përveç humbjes së një rasti të jashtëzakonshëm për fuqizimin ndërkombëtar të identitetit shtetëror dhe kapitalizimit të vlerës së kompromiseve të deritashme, vonesa njëvjeçare deri te aplikimi i sërishëm në Këshillin e Europës gjithsesi do të shoqërohej me izolim gjeopolitik të Kosovës dhe pezullim të përkrahjes nga aleatët”, deklaron ai për Gazetasi.al ndërsa shton se është e kuptueshme rezistenca që po bën Kurti.

“Gjatë kohës sa ishte kryeopozitar, Kurti e kundërshtonte Asociacionin me tërë qenien e tij politike. Organizonte protesta me dhjetëra mijëra pjesëmarrës, duke i cilësuar me epitete nga më brutalet të gjithë ata që nuk mendonin si ai për këtë projekt.

Prandaj, është plotësisht e kuptueshme rezistenca e tij – veçanërisht morale, për ta pranuar. Mirëpo, për ironi të fatit, s’ka rrugëdalje tjetër. Çdo vonesë e fillimit të punës në arkitekturën e themelimit të strukturës së këtij institucioni, patjetër të bazuar në kornizën ligjore kosovare, është kundërproduktive, nxit konflikte politike me fuqitë e mëdha, humbje energjie dhe shmangie të përqendrimit ndaj problemeve socio-ekonomike të Kosovës”, shton ai mandej ndërsa thekson se dominon bindja Kurti do ta gjejë vullnetin ta kapërcejë këtë sfidë madhore.

Një vendim i mundshëm i qeverisë së Kosovës për mos-dërgimin e draft-statutit në Kushtetuese, për analistin Artan Muhaxhiri do të sillte pasoja tektonike për Kosovën.

Megjithatë, Muhaxhiri thotë se është hera e parë që aplikimi i një shteti për anëtarësim në Këshillin e Europës kushtëzohet me dinamikat e procesit që është duke u zhvilluar nga një institucion tjetër, Bashkimi Europian.

“Asociacioni është institucionalisht i patejkalueshëm, për shkak se është ligj i miratuar në Kuvend, në vitin 2013, si dhe ekziston vendimi i Gjykatës Kushtetuese për themelimin e tij, nga viti 2015”, deklaron ai.

Hendeku mes Kosovës dhe Serbisë, shkak për vendosjen e detyrimeve shtesë

Kamberi thotë për Gazetasi.al se dështimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës do të ishte një fitore politike për qarqet që angazhohen ose për një Ballkan Perëndimor jashtë BE-së ose për një BE me dominim nga rrymat iliberale dhe autoritare.

“Dështimi eventual i procesit të anëtarësimit do të ishte edhe një goditje ndaj normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, e rrjedhimisht dështimit të zbatimit të planit të BE-së franko-gjerman, të cilin e kanë pranuar Beogradi dhe Prishtina.

Ky plan ka pothuajse dy shtylla kryesore, ku njëra është subjektivizimi ndërkombëtar i Kosovës përmes anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare (si tani në Këshillin e Europës) të cilin nuk e dëshiron realisht Serbia dhe çështja e krijimit të njëlloj autonomie për serbët e Kosovës (vetëmenaxhimi) përmes mekanizmit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të cilin nuk e dëshiron realisht Kosovës”, deklaron ai ndërsa thotë se po sfidohet thelbi i zbatimit të planit të BE-së, i cili si një “arbitër” mbetet të shihet se kujt do t’i faturojë përgjegjësinë në rast dështimi.

Ndërsa Muhaxhiri thotë për Gazetasi.al se duke qenë se hendeku mes Kosovës dhe Serbisë është rritur ndjeshëm për shkak të stagnimit, ndërkombëtarët kanë ndryshuar qasje – duke vendosur siguresa të pashmangshme me populizëm në rrugët përkatëse euro-integruese.

“Për Kosovën është kriteri i dërgimit të draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese, ndërsa për Serbinë përfshirja e obligimeve nga këto dy marrëveshje në Kapitullin 35 të procesit të anëtarësimit në BE. Arsyeja kryesore për një situatë të këtillë është humbja e besimit të bashkësisë ndërkombëtare në fjalët dhe zotimet e Kosovës dhe Serbisë. Përkundër seriozitetit të madh dhe presionit të vazhdueshëm të negociatorëve euro-amerikanë, lidershipet e dy shteteve nuk kanë dëshmuar konstruktivitet, por kanë shkuar deri aty sa t’i sfidojnë edhe vetë arritjet e marrëveshjeve. Kjo ka rezultuar me shndërrimin e marrëveshjeve në detyrime shtesë të obligimeve ekzistuese”, deklaron ai mandej për Gazetasi.al.

Por... raporti i Dora Bakoyannis nuk e kushtëzon në fakt anëtarësimin e Kosovës me Asociacionin

Këshilli i Europës hodhi poshtë të gjitha amandamentet që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhej kusht.

Bakoyannis tha se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota i organizatës, ndërsa Asociacionin e konsideroi si çështje të brendshme të Kosovës.

Bakoyannis tha se Kosova i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota i organizatës

Deri tani, i vetmi kusht që ka qëndruar mes Kosovës dhe anëtarësimit në Këshillin e Europës ka qenë konteksti pronësor lidhur me pronën rreth Manastirit të Deçanit.

Por ky kriter u realizuar kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur më 13 mars se Qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronën rreth Manastirit të Deçanit.

Në këto kushte, ndërsa çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Europës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës më 17 maj, kureshtja për të parë hapat e ardhshëm të Kurtit mbetet e lartë.

De-jure Asociacioni nuk është një kusht, por a mjafton presioni perëndimor që edhe pse i vendosur si një kriter de-facto, Kosova të dërgojë draft-statutin në Kushtetuese?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë