Shendet

Asnjëherë nuk është vonë për të lënë cigaren

Qelizat mbrojtëse të mushkërive në trupin e një ish-duhanpirësi mund të shpjegojnë se përse lënia e këtij vesi ul me disa herë rrezikun e zhvillimit të kancerit të mushkërive. Një grup shkencëtarësh të “Wellcome Sanger Institute” në Kolegjin Universitar të Londrës zbuluan se në krahasim me duhapirësit, personat që e kishin lënë duhanin kishin qeliza më të shëndetshme në mushkëri.

“Njerëz që kanë pirë duhan për 30, 40 vite shpesh thonë se është shumë vonë për ta lënë dhe se dëmi është kryer tashmë. Por, ajo çfarë është lumturuese në studimin tonë është se ai provon të kundërtën, që asnjëherë nuk është vonë për të lënë cigaren. Disa prej personave që u përfshinë në këtë studim kishin konsumuar më shumë se 15 mijë paketa përgjatë të gjithë jetës së tyre, por brenda pak viteve pasi kishin lënë duhanpirjen në mushkëritë e tyre nuk ekzistonte më asnjë gjurmë e dëmit të shkaktuar nga cigaret”, thotë Peter Campbell nga “Wellcome Sanger Institute”.

Gjatë këtij studimi u zbulua se lënia e duhanit ka një efekt shumë herë më pozitiv se thjesht ndalimi i dëmtimit të mushkërive. Studiuesit besojnë kjo lejon edhe prodhimin dhe vendosjen në kanalet e frymëmarrjes të qelizave të shëndetshme, çka ndihmon në mbrojtjen ndaj kancerit.

Ky rezultat, sipas grupit të shkencëtarëve provon se nuk ka rëndësi se në cilën moshë lihet duhanpirja, me rëndësi është që ajo të ndodhë.

Rezultatet e këtij studimi u publikuan në revistën “Nature” si pjesë e një projekti 25 milionë eurosh kundër kancerit. Synimi është zbulimi i gjurmëve që mund të çojnë në prekjen nga kanceri të personave të caktuar, para se sëmundja të ketë prekur atë person. Për këtë, studiuesit shpresojnë që këto gjurmë t’i identifikojnë që në ADN dhe për të kuptuar më mirë shkaqet e kancerit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë