Gazeta Si – Policia e Tiranës nuk ka proceduar penalisht asnjë person që qëndronte pranë ambienteve të GJKKO dhe SPAK, teksa mbahej seanca gjyqësore për rivlerësimin e masës së sigurisë së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i doli në mbrojtje policisë, e cila nuk ndërhyri për të shpërndarë mbështetësit e Kryetarit të Bashkisë ë Tiranës, Erion Veliaj, të cilët ishin grumbulluar para GJKKO.
Sipas Hoxhës, forcat policore patën vështirësi në ndërhyrje, pasi ata ishin simpatizantë dhe jo protestues.
“Aty ka një shërbim të planifikuar dhe planëzuar. Kjo është detyrë që e bën çdo ditë. Edhe në raste të tjera ka pasur tubime të lajmëruara në formën e protestave. Ata ishin simpatizantë. Policia e Shtetit merr masat për të siguruar Prokurorinë e Posaçme. Ata patën vështirësi pasi aty pati një grumbullim të papritur të simpatizantëve, jo protestues”, tha Hoxhaj para se të futej në Parlament këtë të enjte.
Një ditë më parë, qindra mbështetës të Erion Veliajt, mes tyre edhe artistë e sportistë të famshëm në vend, u mblodhën para godinës së Gjykatës së Posaçme dhe qëndruan aty deri në dhënien e vendimit për masat e sigurisë ndaj kryebashkiakut Veliaj dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
Në momentin që furgoni i policisë me Veliajn në bord doli nga GJKKO, mbështetësit e kryebashkiakut bllokuan rrugën dhe rrethuan mjetin, duke krijuar vështirësi për efeltivët.
Policia për këtë rast nuk ka referuar asnjë procedim penal apo material në prokurori, ndërsa ditën që u arrestua Veliaj, 8 persona u vunë në hetim, pasi u bënë protagonist me festën e tyre me muzikë popullore, birra dhe kërcime para Bllokut të Sigurisë në kryeqytet, ku u mbajt në paraburgim kryebashkiaku i Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.